PDK-ja përballë provës së presidentit: Jo pazareve, po parimeve

Izmi Zeka

Zgjedhja e presidentit nuk është çështje aritmetike, por moment politik që përcakton balancën e shtetit. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të bëhet pjesë e pazareve të momentit që synojnë të mbulojnë mungesën e votave të shumicës.

Së pari, përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon partisë së parë. Mandatin për të qeverisur e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.

Barra për të siguruar shumicën parlamentare nuk mund të transferohet tek opozita vetëm në çastin kur numrat mungojnë. Kur u formua qeveria, nuk pati gatishmëri për konsensus të gjerë me PDK-në; sot nuk mund të kërkohet bashkëpërgjegjësi selektive.

Së dyti, nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Nëse vendimmarrja ekzekutive u ndërtua pa konsultim me opozitën, atëherë edhe procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të mbajë të njëjtin standard politik. Përndryshe, kemi të bëjmë me një logjikë instrumentale: opozita injorohet kur nuk nevojitet, por thirret kur duhen votat.

Së treti, loja me emra në emër të “patriotizmit folklorik” apo nxjerrja në pah e mbiemrave të njohur për të krijuar presion moral, nuk është kulturë shtetformuese.

Presidenti nuk zgjidhet për të kënaqur emocione apo për të neutralizuar kundërshtarin politik, por për të garantuar unitetin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.

Së katërti, balanca e pushteteve është thelb i demokracisë. Nëse posti i Presidentit, i Kryeministrit dhe i Kryetarit të Kuvendit përqendrohen në një subjekt të vetëm politik, atëherë dobësohet kontrolli demokratik dhe pluralizmi. Kosova ka nevojë për institucione që e balancojnë njëra-tjetrën, jo për koncentrim pushteti.

Së pesti, PDK duhet të ruajë koherencën e saj politike. Të shkosh pas agjendës së kundërshtarit do të thotë të humbësh identitetin opozitar. Qëndrimet duhet të jenë të qarta: vendimet nuk merren nën presion publik apo në logjikën “tërhiq e mos e këput”.

I vetmi kompromis i arsyeshëm do të ishte një kandidat i PDK-së, i dakorduar paraprakisht dhe me garanci politike për balancë institucionale. Çdo formulë tjetër që e redukton opozitën në rol dekorativ do të ishte kompromis me parimin, jo me interesin e shtetit.

Në fund, kompromiset janë të pranueshme kur forcojnë shtetin. Por kur ato bëhen për të shpëtuar një shumicë apo për të konsoliduar kontrollin e një subjekti të vetëm, atëherë ato dëmtojnë demokracinë.

PDK nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike për presidentin – ajo duhet të jetë pjesë e një qëndrimi parimor që mbron balancën dhe interesin afatgjatë të Republikës së Kosovës.