PDK tregon qëndrimin e saj lidhur me koalicionet komunale
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në zgjedhjet e 17 tetorit 2021 ka arritur një rezultat pozitiv sipas zyrtarëve të saj.
Në këto zgjedhje lokale, sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDK e udhëhequr nga Memli Krasniqi ka arritur të shënojë fitore pa balotazh në katër komuna.
PDK për katër vitet e ardhshme do të udhëheq me Mitrovicën e Jugut, Ferizajn, Skenderajn dhe Hanin e Elezit.
Përveç fitores në këto katër komuna, PDK do të garojë në raundin e dytë të zgjedhjeve edhe në tetë komuna, përfshirë këtu: Drenasin, Kaçanikun, Shtimen, Vushtrrinë, Malishevën, Prizrenin, Dragashin dhe Klinën.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë për Telegrafin se PDK nuk ka vija të kuqe për asnjë parti sa i përket koalicioneve komunale.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe me asnjë subjekt tjetër. Kjo qasje e jona si parti politike parimisht është më e hershme. Aq më shumë kësaj here nuk kemi vija të kuqe duke pasur parasysh se ato vija të kuqe mund të determinojnë rrethana të cilat mund të ndikojnë jo mirë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë në komuna”, ka thënë Abdullahu.
Abdullahu ka theksuar se për koalicionet fillimisht do të bisedohet me përfaqësuesit e subjektit të tyre e pastaj vendimin do ta merr Kryesia dhe kryetari Krasniqi.
“Thënë përmbledhtazi, për atë se si do të vendoset për marrëveshjet e ndryshme me subjektet tjera në komuna të ndryshme, së pari do të bisedohet me përfaqësuesit tanë dhe vetëm në bashkëpunim dhe koordinim me ta, Kryesia dhe Kryetari Krasniqi do të marrin vendime”, u shpreh Abdullahu.

