Peci denoncon sërish objektin afër selisë së AAK-së: Do t’ia kthejmë ministrisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është shfaqur të mërkurën para një objekti që i ka 700 metra katrorë, e që gjendet afër selisë kryesore të AAK-së në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Sipas Pecit, lokali në fjalë është pronë e ministrisë së Bujqësisë, por shton se aty që nga viti 2012 janë ndërtuar lokale afariste në mënyrë të jashtëligjshme.

Ai tregoi se i ka deponuar të gjitha dëshmitë në Prokurorinë e Shtetit, por se tash e një vit shprehet se nuk ka pasur asnjë veprim nga institucionet e drejtësisë, raporton Paparaci.

“Në zemër të Prishtinës për 11 vite: 700 metra katrorë lokale afariste të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme! Tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private! Shndërrim i oborrit në depo! Mosveprim nga 5 ish-Ministra! E gjithë kjo, në pronë të Ministrisë së Bujqësisë”, thotë ai sipër videos së publikuar në Facebook.

Peci shtoi se ka marrë vendim që ta bëjë lirimin e pronës shtetërore për të cilën tha se është e uzurpuar. Sipas tij, objekti në fjalë është “objekti i korrupsionit dhe i zhvatjes”.

“Andaj edhe për këtë objekt kam nënshkruar vendimin për lirimin e pronës shtetërore të uzurpuar, veprim administrativ ky i mbështetur në bazë ligjore. Ftoj organet tjera kompetente në zbatim të këtij vendimi”, tha ai.

“Që nga viti 2012 në këtë objekt dhe përreth tij ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme. Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës para afër një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam ofruar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit”, tha Peci.

Po ashtu, Peci ka pasur akuza ndaj drejtorit të Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Gecin se sipas tij, ai “bën sfilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës, në Ulpainë qëndron si ‘luan’ objekti i korrupsionit dhe i zhvatjes së tij”.

“Ky nuk është është protagonisti i vetëm”, shprehet Peci, në videon e cila është shpërndarë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, ku kritikohet Prokuroria Speciale për mos-veprim ndaj denoncimeve të bëra.