Peci: Janë shqiptuar gjoba për ata që nuk respektuan Ligjin për Duhanin

10 vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, institucionet janë aktivizuar për ta zbatuar atë.

Pas një iniciative të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, nga kjo e enjte inspektorët e këtij institucioni kanë nisur punën në terren.

Këtë të premte, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër!.

Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave

“Kjo gjë nuk na bën të lumtur, mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë”, ka shkruar ministri Peci.

Ministri i Bujqësisë ka bërë thirrje: “le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës”.

Ai ka ftuar qytetarët që kudo që evidentojnë raste të mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.