Peci: Kosova mund ta sigurojë bukën për vete sivjet

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se për tri vite qeverisje më këtë institucion ka arritur që ta ndryshoj në mënyrë radikale për të mirë gjendjen në sektorin e bujqësisë, duke e rritur kështu përkrahjen për bujqit dhe fermerët deri në 216 për qind.

Ai ka folur edhe në lidhje me implementimin e Fondit Blegtoral në vlerë prej 5 milionë eurove, për të cilin tha se me implementimin e këtij fondi në vend do të jenë plus edhe 2 mijë lopë në nivel vendi dhe se Kosova do të ketë në baza ditore mbi 40 mijë litra qumësht të freskët.

Peci ka thënë se pavarësisht përballjes me krizat botërore, kanë arritur që të kenë të mbjellat më të mëdha se rekordi i të mbjellurave të pas luftës në Kosovë. Ai ka thënë se Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur në një gjendje kaotike e me shumë abuzime në aspektin financiar.

“Gjendje në të cilin e kam gjetur sektorin e bujqësisë ka qenë gjendje kaotike, në Ministrinë e Bujqësisë fatkeqësisht unë mendoj që ka qenë njëra nga institucionet që është abuzuar më së shumti në aspektin financiar. Por nuk është abuzuar vetëm në aspektin financiar me programet kryesore të subvencioneve dhe të grandeve, del që problemi i pronave të jetë njëra prej mënyrave dhe veprimeve që më abuzive dhe flagrante në Kosovën e pas luftës. Unë jam shumë i lumtur që për tri vite të qenit ministër, gjendja në sektorin e bujqësisë ka ndryshuar radikalisht për të mirë”, ka deklaruar ai për EO.

“Gjatë kësaj periudhe kohore përkundër që ministër i Bujqësisë jam bërë në periudhën më të pa përshtatshme për shkak të rrethanave dhe efektit që ka pasur Covid-19, mandej kriza energjetike, agresionit të Rusisë në Ukrainë që i ka rritur çmimet e produkteve bujqësorë për dikun 300 për qind dhe marr për bazë gjendjen katastrofale në të cilën e kam gjetur Ministrinë e Bujqësisë. Unë sot jam shumë krenar për ndryshimet pozitive që ne i kemi arritur edhe përkundër krejt këtyre fakteve edhe obligimeve të mëdha, edhe zhytjes në krim e korrupsion në këtë institucion ne kemi arritur që te kemi rezultate signifikante, kemi arrit që të kemi të mbjellat më të mëdha se rekordi e të mbjellurave të pas luftës në Kosovë. Kemi arrit që të rrisim përkrahjen deri në 216 për qind, në vazhdimësi për dy vite jemi duke u shpallur institucioni më transparent në vend”.

“Çdo cent i taksapaguesve të Kosovës dihet mirëfilli se cili është përfituesi final. Përkundër faktit që jemi përballur edhe me disa veshtersi objektive, sikur se janë masat e vënë nga mekanizmat ndërkombëtar, vetëm vitin e kaluar kemi arritur që me partneritete, marrëveshje ndërkombëtare të rrisim buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për 26.4 milion euro, edhe gjithë këto veprime janë realizuar mbi bazën e vullnetit politik që ne e kemi pasur edhe gjitha parametrat i kemi pozitiv, duke përfshirë edhe bilancin tregtar që prej se unë jam ministër rritja e sasisë së eksporteve të prodhimeve bujqësore është rreth 100 për qind”, ka thënë ai.

Ministri Peci ka thënë se gjendja e bujqve dhe blegtorëve në Kosovë është më e mira në rajon, falë përkrahjes financiare dhe thjeshtësimit të mënyrës së aplikimit të fermerëve për grante dhe subvencione.

Ai më këtë rast ka përmendur edhe rastin e dy fermerëve në Kosovë të cilët kanë përfituar për here të parë subvencionim pas thjeshtësimit të mënyrës së aplikimit.

Peci ka konfirmuar se këtë vit Kosova krahasuar me vitet paraprake mund ta sigurojë miellin e nevojshëm. Thotë se përkrahja ndaj fermerëve ka ndikuar në shtimin e hektarëve të mbjella me grurë.

“Për të dhënë një përgjigje të tillë është koxha komplekse. Në rast se ne marrim standardin e BE-së të sasisë së miellit për kokë banori pothuajse Kosova mundet me e plotësuar. Po në anën tjetër shoqëria jonë konsumon një numër më të madh të sasisë se prodhimit ose të nevojës. Ndoshta edhe për shkak të traditës, mandej është një numër i madh i fermerëve që e mbjellin grurin po destinimin final të sasisë së grurit nuk e kanë për ushqim për qytetaret ose për prodhuesit, ose për pika grumbulluese, ose për mullinjë, por ja dedikojnë ushqimit për kafshë ose për shpezë”.

“Ne në një krahasim ose një statistikë të përafërt na ka dalur që dikun 65 deri 70 për qind vitin e kaluar e kemi pasur nevojën e mbulueshmërisë duhet me marr për bazë sasinë e importit numrin e hektarëve, rendimentin mesatar minimal na ka dalë që dikun kemi mbuluar 65 deri 70 për qind. Për me mundur me plotësuar në 100 për qind është pak sa e vështirë, por sido që të jetë trendi është pozitiv…”./EO