Pej se asht nis kjo punë, dishka s’po na shkon marë

Hasan Bunjaku

… Pasi nuk e gjeti atë fotografin e “njohshëm”, e i cili, siç duket ishte i vetmi “i akredituar” dhe i “tenderuar” atë kohë për këto fotot e vesikave, pasi kërkoi në disa vende tek disa “syretxhi” tjerë, e me të cilët asesi nuk u muarr vesh për kushtet dhe çmimet marramendëse të tyre – Babë Zeneli, që “ra” në Shkup edhe një ditë tjetër, e pasi u kthye edhe njëherë në Zyren e Konsulatës Turke, e Zyrtari trashaluq, ia “kputi ymyzin” për tjetër fotograf: “Veç ai e ka izen tonë me ba syreta për vesika, e tjerat nuk ia begenisim as nuk ja sajdisim” – nevojlia, “vet i katërdheti”, shkoi pak te një stërmbesë që jetonte në qytetin e “Madh”… Dhëndrri e priti mirë:
– Hajde bujrun , dajo, e mirë s’e t’ka pru Zoti!
– Mirë se ju gjeta, e ishalla gjithmonë për t’mirë jau shkeli derën… Po, n’dash me e ditë, halli m’ka pru n’Shkup: E kemi shitë pasuninë, me ka krejt, i kam shti letrat për Vesika, kësmet për Turki, po gati gjysa e pareve m’shkun mas letrave, syretave e vesikave, e tash ka zatet puna te ni syretxhi qi koka veç për qit punë, e qi e paska thye qafën dikun n’Sanxhak, përtej Mitrovice , e Allah ti biler se kur kthehet.
– Po a hiç nuk po bajke naj syretxhi tjetër, a, veç qai?
– Jooo, jo, nuk po bajke, m’tha ai farë çatipi i turkit…
– Po, ani de, duhet me e prit, e ai farë birqeni syretxhije, kthehet naj ditë…
– More po, o dhanër, po s’e di a po kam rusat fort, se mundet naj ditë me u mshel huduti krejt, e mos vet për neve: as te hapa as te hupa…
– Qysh ta ket ba jazi i Madhi Zot bahet, ndryshe, s’ka… – po e ngushëllonte edhe stërmbesa.
Babë Zeneli, hangër pak bukë, shpejt e shpejt, e u ngut ta ze ndoj tren për Bujanoc, se atje edhe e kishte lanë kalin e shalës te ni nallban.
Kah koha e jacisë, Babë Zeneli po kthehej çartaqejfas në shtëpi. Nënë Metihja, pasi ia mori kalin edhe e rahatoi e i qiti sanë n’grazhd, guxoi ta pyeste të shoqin:
– A u lodhe shumë, pashë Zotin? E, a mund vyjte naj sen…?
– T’vyjtmja e ngranë-dreqit (larg nesh!)…! A tho na nemi kush, a çka u ba qi pej se jemi shitë me ymyz me e marrë udhën për Turki, punët veç prap e ma prap: n’vend se me u xgidh, ato po shkojnë e po bahen “porozhe”: aq shumë po pshtjellavën, sa, tatari s’i bjen n’fije…
– Ishalla bahet mirë! Ruju e mos i jep siklet shumë vetes, se po smuhesh nej kah e nuk ka se çka na vyn kurgja: as Turkija, as ktuhja!
– Lej kto muhabete tash, po t’thom!! A vajz’ po do me m’majt ti mue a? Ti kqyri puntë e tua, e për tjetër, mos t’rrokë zori…!!! – iu kthye me bërtimë Nënë Metihes babai në neurozën e vet…
– Ani, ani se ti i di ma mirë kto punë: falma kabahatin qi u habita e fola pak si tepër, qysh nuk m’bjen hise mue, si grue…! – ia kthei me të butë, e shoqja.
Hyni në odë, ku ishin Babxhyshi dhe dy vllaznit. N’çehre e vërejtën që diçka nuk është puna në rregull.
– A dite me ardh djalem! Diçka ja ke marë lezetin Shkupit, e n’javtë ka dy-tri herë…
– Nuk po shkoj për qef as për zijafete, o babë, po me punë kishe, he shkret metshin…!
– Pse, kishe “shkret metshin”! Na as t’partë as t’mramtë nuk jemi, qe, m’tha njani, edhe tri ditë e Berivojctë, toptan, krejt katuni, po shkojshin: jau paskan dhanë izën….
– Po, o bablok, veç ata bukur ma heret i kanë nisë me i hecë k’to punë, e neve si shumë vonë na “ra n’men”, ere, don me dalë dardhë me bisht, qysh po m’doket….
– Po, pse more… A ia thave paret – po… A e bamë synetin – po… E çka n’t’samës po lypin ma?
– O, krejt garrametet kanë dalë bash te qaj syneti, se po e lypin ni tjetër ku nuk asht hiç ai i ngrati – Sabria….
– Po, halli?
– Po duhet me dalë edhe niherë kejt familija, tash, pa Sabrinë….
– Po, a qaq telashe koka ni sabi qi koka n’syret e nuk do t’jetë atë ditë n’hudutë, a?
– Po, bash qashtu asht, ia qillove si me martinë…- iu përgjegj Babë Zeneli, Babës së vet, Gjysh Demirit.
– Po pse s’e prune apet atë farë shyle-bylin, si atëherë?
– Se nuk ish n’Shkup hiç. Kish shkue dikah kah Sanxhaki te ata Boshnjakë a çka janë?… Tri javë po metke atje, e po tutna qi don me na u ba vonë kjo punë, se mundet me u mshel huduti krejt, e na mesim “as n’qill, as n’tokë”…
– Po, jo more se s’ka pse me u “mshel” huduti: boll ka ven Baba Mret n’Turkije… – foli Baci Ramiz, bukur me “kompetencë”…
– Ishalla, veç boll po tutna, vallha… – tha si me dilemë Babë Zeneli…
– S’e di valla, veç pej se asht nisë kjo punë, dishka pun’t s’po na shkojnë marë, hiç… – foli Axha Ramë, që e kishte kuptu thelbin e problemit.
– Ti, Ramë, ani, veç prap’ fiqiron! – i bërtiti Gjyshi. – A po na shtron darkë dikush se u ba pika e natës?! – iu drejtua me zë të lartë grave jashtë odës…
– Qe-qe, moti asht gati – foli Dada që hyri me një legen dhe ibrik në dorë për t’iu qitë t’i lajnë duart, ndërsa Nënë Metihja, hyni me sofër e Nusja e Bacit Ramiz, me një tavë të madhe pasul, ndërsa Gjyshja e solli bukën. Dhe sakaq u ulën të gjithë në sofër dhe hanin me shije, pa bërë më asnjë zë askush…

(Shkruar në prill 2014)