Pejanët u infektuan me Covid-19 në ceremoni mortore

Peja është komuna e tretë me më së shumti raste me COVID-19 në vend. Të infektuar me koronavirus ka në pesë fshatra të këtij qyteti. Mbrëmë atje janë konfirmuar edhe 23 raste të reja. Shumica e rasteve ndërlidhen me familjen e cila zhvilloi ceremoninë mortore më 6 prill, derisa pjesa tjetër janë kontakte të mjekut të infektuar.

Drejtori për Shëndetësi në Pejë, Petrit Loci ka thënë se dje janë testuar 62 mostra nga kjo komunë dhe se në mesin e atyre që janë testuar kanë qenë edhe disa punëtorë shëndetësorë.

Ai ka treguar se shumica e këtyre rasteve janë nga Lagja Kristal, ku jeton familja e cila zhvilloi ceremoninë mortore, e cila ndikoi në përhapjen e COVID-19 në këtë qytet. Pjesa tjetër e rasteve thotë se janë kontakte të mjekut të infektuar.

“Dje janë testuar 62 mostra. Në mesin e atyre që janë testuar disa kanë qenë edhe punëtorë shëndetësorë, por që pozitivë kanë dal 23 persona dhe asnjë nuk është punëtorë shëndetësor. Të gjitha rastet që dolën mbrëmë pozitive janë raste kontakti të familjes që ka pasur të pame dhe të mjekut të infektuar”, ka thënë Loci për Express.

Sipas Locit, gjendja e të infektuarve është stabile. Dy prej të infektuarve thotë se janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, derisa pjesa tjetër janë në vetëizolim./Mediafokus.info/