Pensionistët dhe përfituesit e skemave sociale lirohen nga obligimi për paraqitje verifikuese
Pensionistët e Kosovës, pavarësisht moshës së shtyrë, në rrethana normale janë të obliguar të paraqiten dy herë në vit pranë zyrave përkatëse, për të dëshmuar se janë gjallë. Momentalisht, shkaku i pandemisë, qeveria ka marrë vendim që t`i lirojë nga ky obligim përkohësisht.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka marrë sot vendim që të pezullohet obligimi për riaplikim dhe reduktimi i procedurave për njohjen e së drejtës për ndihmë sociale për familjet të cilat duke filluar nga muaji prill 2021 kanë afatin për riaplikim.
Gjithashtu, lirohen nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit apo lajmërimit përfituesit e skemave pensionale dhe kategoritë e tjera të përfituesve që janë të obliguar të paraqiten në zyrat përkatëse.
Ky vendim është i vlefshëm deri në vendimin e radhës dhe i njëjti mund të rishikohet duke pasur parasysh rekomandimet dhe/ose vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

