Pensionohet arkitekti Habib Mahmuti, themelues i Urbanizmit në Gjilan
Habib Mahmuti, arkitekt në Komunën e Gjilanit, e ka përmbyllur moshën e punës në sektorin shtetëror dhe është pensionuar. Ai konsiderohet themelues i Urbanizimit në Gjilan.
Murat Hoxha, koleg i tij ka bërë një shkrim të gjatë për Habib Mahmutin, me rastin e pensionimit.
Postimi i plotë
Ditëlindjet janë dedikim për një personalitet me atribute të veçanta, emër e mbiemër dhe karakter të veçantë.
Të rrallë janë ata njerëz të cilët kaluan nëpër një rrugëtim jetësor disa dekada, pa asnjë “gabim” i cili do e cenonte ndërgjegjen e tij apo të familjes së tij. Unë këtë dedikim po e adresoj tek miku edhe shoku i im Inxh. Arch. dipl. Habib Mahmuti, të cilin njoha para 38 vitesh.
Atëherë, ashtu si sot ishte i mbushur me energji pozitive, mbase për arsye që ishte njëri ndër kuadrat e parë nga fusha e arkitekturës, i shkolluar në universitetin e Prishtinës. Ai edhe sot e ka po atë pozitivitet.
Atë dhe vëllezërit e tij shpesh i identifikonin si “djali i Rashit Lladoves” për faktin që babai i tij ishte një burrë me nam jo vetëm në fshatrat e rrethit të Zhegrës, (më herët ishte komunë në vete) por edhe në komunën e Gjilanit e më gjerë.
Aga Rashit i edukoi dhe shkolloi të pesë djemtë, duke e krijuar një trashëgimi fakultetlinjsh, me profesione të ndryshme si pedagog, doktor e inxhinier.
Habib Mahmuti, angazhimin e parë pas studimeve e pati në komunë, përkatësisht në ish Sekretariatin për Çështje Pronësore-Juridike dhe Urbanistike, ku ishte njeri ndër kuadrat e para të diplomuar në këtë institucion.
Përveç kohës së shërbimit ushtarak dhe kohës së largimeve dhe diferencimeve (kur Habibi u detyrua që profesionin e arkitektit ta ushtroj në sektorin privat), e tërë puna, kontributi dhe karriera e tij ishte në administratën komunale, si një arkitekt i zoti.
Njerëzve të mirë u prinë edhe fati i mirë. Habibi fatin e vetë e lidhi me Kimeten, tani një pedagoge e respektuar në procesin e edukimit, vajzën e ish Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv, Faik Haziri, i cili për vite me radhë ishte një udhëheqës i njohur për zotësinë, qëndrimet dhe sukseset e tij.
Menjëherë pas lufte, si rezultat i zgjedhjeve të para komunale në Gjilan, Habibi u përzgjodh për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të Drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit. Ai e ri-themeloi atë institucion, duke i dhënë një fizionomi dhe koncept organizativ të cilin e meritonte. Ishte një fillim i rëndë, me shumë sfida por i suksesshëm.
Nën udhëheqjen e tij u ndërtuan kapacitetet profesionale dhe të punës. Pati trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, thjesht ndodhi një “revolucion i vogël” për nga cilësia, efikasiteti i punëve dhe shërbimeve për qytetarë. Ai krijoi një bazament i cili është avancuar deri në ditët e sotme.
Ai në komunën e Gjilanit ushtroi edhe detyra të tjera, si anëtar i disa komisioneve profesionale dhe së fundmi menaxher i Zyrës së Projekteve e cila detyre i dha me shumë përgjegjësi, madje edhe ndjeshmëri për nevojën dhe mundësitë e zhvillimit të komunës, për të krijuar mirëqenie për qytetarët.
Dhe s’ka se si të mos vazhdojë tradita!
Tani qifti Mahmuti (Habibi dhe Kimetja) kanë dy djem dhe një vajzë, që të tre me tituj shkencorë, doktor shkence dhe magjistra. Kjo i bën krenarë ata si prindër, familjen e gjerë Mahmuti, por edhe shoqërinë brenda dhe jashtë Kosovës.
Tani, Habib Mahmuti është zyrtarisht në “pension të shtetit” sepse ka ditëlindjen e 65-të. Ai, formalisht dhe me letra do të jetë në regjistrat e moshës së tretë dhe kjo është dhuratë e Zotit i cili i dha jetë dhe shëndet të arrijë këtë ditë të përcaktuar edhe me ligj, por nuk besoj që ai do ndihet ashtu, sepse para tij janë një mori punësh e angazhime profesionale.
Madje, ai, tek tani mundet me punua për vete, për dallim të asaj që tërë karrierën ia kushtoi shoqërisë.
Ai tani e tutje mund të jetojë “përnime” duke i shijua të arriturat e veta dhe familjare, por edhe duke shfaq krenari për të kaluarën e vetë, lirisht mund të them të lavdishme. Ai tek tani mundet me i rikujtua angazhimet e tij profesionale, njerëzore dhe patriotike, kujdesin për qytetarin, familjen dhe bashkëprofesionistët.
E gjithë karriera e tij është një mesazh i fuqishëm për të gjithë ne se “dija, puna drejtësia, morali dhe besimi janë pasuria ma e madhe për njeriun”. Ai i zbatoi të gjitha këto postulate, nuk lakmoi kurrë për asgjë, por i arriti të gjitha ato që një familje e bën të lumtur dhe krenare në shoqëri.
Unë gjithsesi ndihem më i plotësuar dhe më krenar që me Habibin ishim edhe bashkëpunëtorë, kolegë pune dhe shokë shtëpie. Edhe më krenar jam që edhe sot e përjetoj modestinë, sinqeritetin por edhe saktësinë e vlerësimit profesional, njerëzor dhe politik të tij për gjërat që po ndodhin në shoqërinë tonë e më gjerë. Atë, gjithmonë e mbanë shpresa që “do bëhet mirë”./Mediafokus

