Pensionohet Fatmir Latifaj, drejtor në shkollën e Velekincës

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe  Albana Demiri, drejtoreshë e Arsimit në Gjilan, e cila ka çmuar lart punën  e drejtorit Fatmir Latifaj dhe organizimin e kësaj ngjarje.

Ajo tha se  me drejtorin kanë patur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Atë e ka cilësuar drejtor shembull. “Ai ka dhënë kontribute për këto vite dhe ai do të ngelet model i një drejtori të mirëfilltë”, tha drejtoresha Demiri, duke e cilësuar Latifajn mësimdhënës dhe udhërrëfyes të përkushtuar dhe se  ai nuk do të ndalet as në vitet e pensionimit dhe se ai do të jap kontribut edhe të mëtejmë.

Naile Aliu, mësimdhënëse, është paraqitur me një fjalë rasti dhe ajo  ka falënderuar drejtorin për tërë kontributin që ka dhënë.

Në emër të fshatit ka folur  profesori Skënder Bajrami, i cili ka uruar ditëlindjen dhe pensionimin e drejtorit, për të cilin tha se në këtë shkollë ai punoi në vite me radhë si mësimdhënës e si drejtor, duke arritur suksese të mëdha.

“Sot nuk po largoheni nga kjo shkollë. Ju merrni falënderimet e zemrat tona”, tha Bajrami dhe ka nderuar me mirënjohje drejtorin e pensionuar në emër të fshatit.

Me këtë rast, drejtori Fatmir Latifaj i është drejtuar komunitetit dhe prindërve të fshatit Velekincë, ku e ka selinë shkolla, sikurse që i është drejtuar edhe anëtarëve të kolektivit dhe nxënësve, të cilët i ka cilësuar familje të dytë dhe i ka falënderuar për këtë përgatitje që i është bërë, kurse nuk  ka lënë pa përmendur edhe  miqtë dhe familjarët.

Ai tha se ndjehet i emocionuar nga fjalët që ka dëgjuar nga drejtoresha e Arsimit, Albana Demiri, por edhe nga komuniteti i fshatit. Ai ka thënë se të gjitha sukseset e arritura i ndanë me të gjithë, ngase pa mbështetjen dhe kontributin e secilit ato nuk do të arriheshin. Ai ka dëshiruar që në këtë shkollë të rritet cilësia edhe më shumë./kryelajmi.com/