Pensionohet motra Sevdije Kryeziu, ajo që për 45 vite u dha shpresë mijëra pacientëve
Pas 45 vitesh punë në shërbim të shëndetit të popullatës, Sevdije Kryeziu, motër kryesore në Repartin e Sëmundjeve të Mushkërive në Spitalin e Gjilanit, është pensionuar.
Dita e fundit në punë, pas mijëra të tillave në karrierën e saj, ka qenë e veçantë, e dhimbshme dhe e lumtur, njëkohësisht.
Për 45 vite radhazi, ajo e konsideroi të shenjtë pacientin, jetoi mes dhimbjeve dhe me dhimbjet e tyre, pavarësisht kushteve e rrethanave nëpër të cilat kaloi shëndetësia.
Për 45 vite punë, ajo mori fjalë të mira e miradie, si një profesioniste dhe njeri me vlera të larta.
Ajo ishte kurdoherë e gatshme të ballafaqohet me çdo lloj sfide, kurdoherë që ishte nevoja.
Sinqeriteti në punë, përkujdesja dhe reflektimi pozitiv, do të bëjnë që Sevdije Kryeziu të mos harrohet asnjëherë nga kolegët, e veçanërisht nga pacientët të cilët kaluan nëpër duart e saj.
Sevdija shkoi në pension jo për shkak të lodhjes, për arsye të moshës, shkoi plot energji dhe e gatshme për të ecur përpara në jetë.
Me rastin e pensionimit, atë e ka uruar edhe nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili e ka vlerësuar Sevdijen një shembull të rallë të përkushtimit ndaj pacientëve dhe punës, të cilën e bënte me shumë dashuri.
“Faleminderit për shërbimin tuaj në një karrierë të bujshme për bashkëqytetarët tanë. Uroj të keni shëndet dhe ditë të lumtura me familje, miq, e dashamirë”, ka shkruar Ismajli./mediafokus.info

