“Për 100 ditë u keqtrajtua”, dalin detaje të reja nga sherri mes Feros dhe Arbenitës
Marrëdhënia mes Feros dhe modelës Arbenita Ismalji, ka degraduar pasi këngëtari ka ushtruar dhunë ndaj kësaj të fundit dhe si rezultat, çështja e tyre ka përfunduar edhe në gjykatë.
Bazuar në raportin e Prokurorisë, aty tregohet se për afro 100 ditë, ndaj modeles janë ushtruar forma të ndryshme të dhunës.
“Për shkak të raporteve të përkeqësuar për 3 muaj, e dëmtuara i kërkon të ndaheshin dhe të merrte vajzën, gjë që e revolton të pandehurin, i cili duke mos pranuar ndarjen fillon të shfaqë agresivitet duke bërtitur dhe i kërkon edhe një shans”, thuhet në raport, të siguruar nga Prive.
“Por, kur e dëmtuara refuzon i pandehuri revoltohet dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në shpinë dhe kur e kupton se e dëmtuara po e incizonte, ia merr telefonin nga dora dhe ia thyen, për dysheme duke e kanosur me fjalët: Nëse e merr vajzën dhe shkon në Angli kam me të vra”, thuhet tutje në raport, raporton Sinjali.
Avokati i Feros ka pranuar se klienti i tij ndodhet në burg, mirëpo ai e ka mohuar të ketë pasur përdorim të dhunës, teksa incidentin e ka cilësuar “mosmarrëveshje”.
“Arbenita vjen në fundjavë në Kosovë, e pastaj shkon për punë të saj. Vajza është rritur nga Fero dhe nëna e tij. Qëllimi i saj ka qenë vajza, e argumenton edhe kërkesa e pasaportave. Në këtë rast është vetëm një dëshmitar, nëna e Feronit Shabanit. Emocionalisht Fero është i mërzitur, sidomos për vajzën, është i lidhur me të. Në këtë rast nuk ka pasur dhunë, asnjë formë e saj”, ka shtuar ai.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, rep artistit Fero, emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani.
Fero dyshohet për veprën penale – “Dhunë në familje”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.

