Për 12–13 pula dënohet me katër muaj burgim me kusht
Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht si dhe 150 euro gjobë me kusht N.N., për shkak se në prill 2019 bashkë me të miturin M.M., në një fshat të Vitisë kanë vjedhur 12–13 pula të racës greke, piklajka.
Ndërkaq i dëmtuari S.S., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë për konfiskimin e pulave të vjedhura, pasi që katër pula i janë kthyer të dëmtuarit, ndërsa sasia tjetër e pulave nuk është gjetur dhe gjykata nuk mund të konfiskojë sende të cilat nuk dihet se ku gjenden.
Në këtë aktgjykim bëhet e ditur se në seancën fillestare të 23 marsit 2022, i akuzuari N.N. e ka pranuar fajësinë me të cilën ngarkohej, të cilin pranim ia kishte aprovuar gjyakta në fjalë.
Sipas prokurorisë, i akuzuari me të miturin së bashku me biçikletë kanë shkuar dhe hyrë në oborrin e të dëmtuarit, ku nga koteci i pulave kanë marr diku rreth 12 – 13 pula të racës greke, bardhë e zi – piklajka, ku sipas të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm rreth 240 – 260 euro. (foto ilustrim)

