Për ata që nuk e dinë apo e kanë harruar historinë!
Sali Kelmendi
Pas luftrave Ballkanike, Karagjorgjeviqët, të përkrahur nga Rusia, por edhe nga Evropa e atëhershme antisemitiste dhe antiislamike, edhe pas Luftës së Parë Botërore (ku Serbia e pësoi keq), arritën t’i mbajnë tokat e pushtuara në luftra ballkanike.
Në prag të Paqes së Versajes “romantikët” pansllavist ia dolën t’ia bashkojnë Serbisë së madhe edhe Kroacinë dhe Slloveninë në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene, përkatësisht Jugosllavinë e Versajes.
Pra u krijua Jugosllavia e Versajes (Serbia e madhe ushtria e së cilës tarahendej edhe nëpër Shqipëri, deri në jug të vendit dhe Kroacia e Sllovenia që ishin në kufijtë e sotëm).
Serbia e Nacertanies (e madhe) hyri në Jugosllavinë e Versajes me territoret e sotme të Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Kosovës dhe Vojvodinës, duke qenë ushtarakisht prezente edhe në Shqiperi, deri në Durrës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore komunistët jugosllavë, ne mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist (AVNOJ) ia ndanë Serbisë territoret e pushtuara në luftërat Ballkanike, përkatësisht në Luftën e Parë Botërore dhe nga ai territor krijuan apo restauruan edhe pesë njësi federale – tri Republika dhe dy krahina autonome: Bosnjë e Hercegovinen, Maqedoninë dhe Malin e Zi si republika dhe Vojvodinën e Kosovën si krahina autonome.
Me rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, Millosheviqi provoi ta restaurojë Serbinë e madhe me luftë, por nuk ia doli ngase pretendoi ta realizojë “botën serbe” edhe në Slloveni e në Kroaci ku nuk shtrihej kralevina serbe dhe i dogji letrat para botës.
Pastaj provoi minimumin e Serbisë së Madhe, duke i mbajtur me dhunë Vojvodinën, Malin e Zi dhe Kosovën, por prapë nuk ia doli dhe tash Vuqiqi me dredhi po provon të krijojë politikisht Serbinë e Madhe në formën e Ballkanit të Hapur, pikërisht në territoret e Serbisë së Madhe të vitit 1918 para se të krijohej Jugosllavia e Versajes.
Evropa, por edhe bota mund të jenë indiferente nëse viktimat e Serbisë duan të kthehen vullnetrisht te gjelati.
Pra, ky është Ballkani i Hapur!

