Për çka ishin konfrontuar mes vete Komuna dhe MASHT-i në vitin 2007?
MASHT-i ishte detyruar të kërkonte kompromis nga Komuna e Gjilanit, në vitin 2007 sa i përket rekrutimit të stafit në shkolla.
Përkundër mosmarrëveshjeve me nivelin qendror të arsimit rreth procedurave të pranimit të kuadrit mësimor në Gjilan, komuna nuk kishte hequr dorë nga procesi dhe kishte filluar me mbajtjen e intervistave për shkollat fillore.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit nuk kishte hequr dorë nga insistimi i saj që pranimi i punëtorëve në shkollat fillore dhe të mesme të bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ dhe jo në bazë të ligjit mbi arsimin fillor dhe të mesëm, në të cilin insistonte komuna.
Për të bindur komunën që të veprojë në këtë mënyrë, në Gjilan kishin ardhur dy zyrtarë të MASHT-it, të cilët kërkuan edhe kompromis në këtë çështje.
Komuna e Gjilanit kishte këmbëngulë se nuk mund të bënte kurrfarë kompromisi në dëm të ligjit.
Sipas zyrtarëve të MASHT-it, pavarësisht se ekziston ligji mbi arsimin fillor dhe të mesëm, në Kosovë duhet të zbatohet Udhëzimi Administrativ i MASHT-it nr. 18/2003 mbi zgjedhejen e personelit arsimior, derisa ai është në fuqi. /mediafokus.info

