Për ne, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, 1 shtatori nuk është gjithmonë festë
Anita Ademi
Sot, ndërsa shumë prindër dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë me çanta të reja, me buzëqeshje e me emocione të bukura, unë ndiej një dhimbje të heshtur.
Për ne, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, 1 Shtatori nuk është gjithmonë festë.
Ana ime, ka të njëjtën dëshirë si çdo fëmijë tjetër: të mësojë, të luajë, të ketë shokë e të ndihet pjesë e klasës.
Por, rruga deri aty shpesh është e mbushur me pengesa.
Shkolla nuk është gjithmonë e përgatitur për ta pritur si duhet, mungon infrastruktura, mungojnë shërbimet mbështetëse, mungojnë profesionistët që do ta ndihmonin të zhvillohet sipas mundësive të saj.
Dhe më e dhimbshmja, ndonjëherë mungon mirëkuptimi nga komuniteti, si dhe financat që të mbulohen individualisht nga prindërit.
Si prind, do të doja që edhe unë ta përjetoja 1 Shtatorin me gëzim e krenari, pa u brengosur nëse fëmija im do të arrijë të hapë derën e klasës, nëse do të ketë dikë që ta ndihmojë të kuptojë mësimin, nëse do të ndihet i pranuar e i dashur.
Ëndrra ime është e thjeshtë: që një ditë të shohim të gjithë fëmijët tanë, pa dallim, duke hyrë në shkollë me të njëjtin gëzim e me të njëjtat mundësi.
Sepse çdo fëmijë e meriton këtë.

