Për studentët nga Lugina, Shqipëria ofron bursa dhe akomodim falas
Sudentët nga Lugina e Preshevës do të kenë bursa studimi në universitetet shqiptare.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, deklaroi se studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare.
Sipas tij, do të jenë 30 bursa në vit, duke filluar nga viti akademik 2024-2025.
“Konkretisht, duke filluar nga viti akademik 2024-2025, 30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit”.
Hasani theksoi se nuk është e rastësishme që Shqipëria ka zgjedhur pikërisht arsimin si fokusin kryesor të mbështetjes për Luginën.
“Ne besojmë që pikërisht nga arsimi fillon e gjithë përpjekja për fuqizimin dhe rivitalizimin politik, ekonomik, kulturor e social të këtij komuniteti të bashkëkombësve tanë të cilët përballen me një situatë jo të lehtë dhe meritojnë të gjithë mbështetjen tonë”.

