Për të 27-ën herë dështon konstituimi i Kuvendit
Për të 27-ën herë me radhë ka dështuar sot konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi LVV nuk po heq dorë nga skenari i saj për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari hodhi në votim Komisionin për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por formimi dështoi.
Nga 99 deputetë sa ishin prezentë, 50 ishin për, kundër dhe abstenim nuk kishte.
Opozita nuk po e përkrah kandidaten e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet të shtunën.
Ndërkohë një aksion simbolik është organizuar para Kuvendit nga avokati Arianit Koci, i cili ka vendosur shirita të kuq në derën e Kuvendit, derisa deputetët ishin brenda.
Ky aksion u bë, sipas tij, për t’u pamundësuar daljen deputetëve, derisa nuk arrijnë një marrëveshje.

