Përdorimi i pozitave, gradave dhe titujve shkencorë në letrat e ngushëllimit
Është bërë praktikë te ne që pozitat, titujt dhe gradat shkencore të përdoren vend e pavend, madje edhe në një letër ngushëllimi, e cila bëhet për të shprehur respekt për të ndjerin dhe familjen e tij.
Rast tipik është ai i rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dermaku, i cili në një letër ngushëllimi për dy studentet e këtij universiteti, të cilat humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku, nënshkruhet me të gjithë titujt dhe gradat shkencore: Prof. Asoc. Dr., për të vazhduar me: Rektori i UKZ.
Këtu dhe herëve të tjera, gabimisht është përdorur edhe shkurtesa UKZ, shkurtesë kjo që përfshin në vetvete emërtimin e universitetit.
Dihet si shkruhen emërtimet.
Në rastin e letrës së ngushëllimit, do të mjaftonte të shkruhej në fund: Rektori i UP “Kadri Zeka”, Artan Dermaku. (shkrimi nuk ka të bëje asgjë personale me rektorin)
Një letër ngushëllimi është shprehje e një raporti ndjeshmërie me rastin dhe nuk ka të bëjë me fushën e shkencës dhe letrat formale, ku përdorimi i titujve është i zakonshëm.
Në një letër ngushëllimi, është më e përshtatshme të flisni në mënyrë sa më të thjeshtë dhe të shmangni formalitetin e tepërt, siç janë titujt dhe gradat shkencore.
Në rastet tjera, gjithsesi duhet të ruhet respekti dhe ndjeshmëria për personin ose personat e ndjerë dhe familjet e tyre.
Një rast tjetër, ku përdoret pa vend pozita politike, është ai i kryetarit të Vitisë, i cili në njoftimin për vdekjen e babit të tij, të titulluar “Lamtumirë i dashuri Babë, nënshkruhet: Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë.
Kryetar në raport me Babën, a?!!!!/Mediafokus

