Përfitoni nga masat për mbështetje të bizneseve!

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 08/08, datë 21.04.2021, lidhur me subvencionimin e shoqërive tregtare (bizneseve), përkatësisht për subvencionimin e pagës së punëtorëve dhe/ose subvencionimin e pagesës së qirasë për bizneset që kanë pësuar rënie të ndjeshme në të hyra për shkak të kufizimeve të vendosura sipas Vendimit Nr. 01/05, të datës 05.04.2021, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë punëdhënësit dhe qiramarrësit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa.

Për subvencionim të pagës së punëtorëve, mund të aplikoj punëdhënësi, nëse është:

  • Biznes me aktivitet të vetëm gastronominë;
  • Biznes me nën-sektor gastronominë, vetëm për stafin e angazhuar në gastronomi;
  • Biznes që ushtron aktivitetin në qendra tregtare të tipit të mbyllur;
  • Biznes me aktivitet fitnese dhe palestra; dhe
  • Biznes me linja aktive të licencuara për transport ndër-urban të udhëtarëve.

Ndërsa, për subvencionim të qirasë mund të aplikoj Qiramarrësi, nëse është:

  • Biznes me aktivitet të vetëm gastronominë; dhe
  • Biznes që ushtron aktivitetin në qendra tregtare të tipit të mbyllur.

Personat të cilët do të përfitojnë sipas këtyre masave, kërkesat e tyre do t’i dërgojnë përmes Sistemit Elektronik EDI, më së largu deri më 11 Maj 2021.

Për subvencionim të pagës së punëtorëve: Punëdhënësi, përmes Sistemit Elektronik EDI duhet të plotësojë formularin “Kërkesë për subvencionim të Pagave dhe Qirasë” (vetëm pjesën e parë për Paga), të bashkëngjis listën e të punësuarve, ashtu siç është dizajnuar nga ATK. Formulari gjendet në Sistemin EDI, në linkun Shërbimet – Kërkesë për subvencionim të Pagave dhe Qirasë, ndërsa lista mund të shkarkohet në të njëjtin link, në butonin Kërkesë e re – Shkarko mostrën.

Për subvencionim të qirasë: Qiramarrësi, përmes Sistemit Elektronik EDI duhet të plotësojë formularin “Kërkesë për subvencionim të Pagave dhe Qirasë”, (vetëm pjesën e dytë për Qira) si dhe të bashkëngjis listën e qiradhënëseve, ashtu siç është dizajnuar nga ATK. Po ashtu, qiramarrësi duhet të ngarkojë çdo kontratë të qirasë në mes të qiradhënësit dhe qiramarrësit, e cila duhet të jetë e lidhur para datës 1 Shkurt 2021. Formulari gjendet në Sistemin EDI në linkun Shërbimet – Kërkesë për subvencionim të Pagave dhe Qirasë, ndërsa lista mund të shkarkohet në të njëjtin link, në butonin Kërkesë e re – Shkarko mostrën, si dhe në butonin Ngarko dëshmitë/kontratat duhet bashkangjitur dëshmitë dhe kontratat me qiradhënësit.

Përmes formularit të lartcekur, punëdhënësi dhe qiramarrësi, duke evidentuar dëshmitë ofron edhe sqarimin se si ka ndikuar në biznesin e tij, Vendimi Nr. 01/05, i datës 05.04.2021, i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Udhëzuesin për aplikim për subvencionim të pagave të punëtorëve dhe qirasë, e gjeni në dritaren ku edhe bëhet kërkesa, si dhe në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org në linkun Multimedia – Manuale & Prezantime.