Përfundon takimi gati dy orësh mes Kurtit dhe Ramës

Ka përfunduar pak më parë takimi mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij kosovar, Albin Kurti.

Rama dhe Kurti u takuan, pa paralajmërim, këtë të martë, në vilën qeveritare “31” në Tiranë.

Mediat shqiptare raportojnë se takimi, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, zgjati rreth dy orë, përcjellë klankosova.

Ende nuk dihet se për çfarë kanë biseduar Rama dhe Kurti në këtë takim të papritur, pasi as qeveria shqiptare e as ajo kosovare nuk kanë dhënë detaje.

Kryeministri Albin Kurti ka lënë sot përgjysmë konferencën e përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke thënë se “po shkon në një takim urgjent”.