Përkujtim: Nehat Ramadani ‘bashkon’ dy data të rëdësishme me lindjen dhe vdekjen e tij
Nehat Ramadani lindi më 15 prill, ndërsa vdiq më 11 janar. Po të ishte gjallë, ai sot do të festonte ditëlindjen e 56-të, por ai e humbi betejën me virusin, pas shumë sfidash të fituara në jetë.
Se kush ishte Nehat Ramadani, gazeta online Mediafokus.info ju sjellë një profil të këtij profesionisti dhe personaliteti të jashtëzakonshëm, pikërisht në ditëlindjen e tij (15 prill), që përkon me betejën e Zhegocit, sikurse edhe ditëvdekja e tij (11 janar) që përkon me fillimin e manifestimit ‘Flaka e Janarit’.
Nehat Ramadani ka lindur në Gjilan, më 15.04.1967. Shkollimin fillor e ka kryer në “Musa Zajmi”, në Gjilan, ndërkaq shkollën e mesme e ka mbaruar në dy cikle të ndara.
Dy vitet e para i ka vijuar në AMO “Arbëria”, drejtimi i përgjithshëm, për të vazhduar më pas në Gjimnazin Matematiko-Natyror “Zenel Hajdini”, po ashtu në Gjilan, drejtimi Teknik Laborant i Biologjisë.
Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.
Ka mbaruar kursin intensiv pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, në vitin 2006.
Kishte përvojë afër 20-vjeçare në udhëheqje, shërbime këshilluese dhe konsulentë në shumë institucione publike vendore dhe kompani ndërkombëtare që kanë vepruar kryesisht nëpërmjet programeve mbështetëse në Kosovë.
Ndër të tjera, ka punuar këshilltar Politik i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, këshilltar në Asamblenë Komunale të Gjilanit (anëtar i LDK-së), udhëheqës i Inspeksionit Komunal, U.d. Kryeshef ekzekutiv i Administratës Komunale të Gjilanit, zëvendësdrejtor dhe drejtor në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Shërbime Veterinere në Gjilan dhe detyra të tjera.
Ramadani ishtre auditor i Certifikuar në Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë ISO 9001:2008, 2014; Menaxhimi i fondeve të IPA-s, Qendra për Inteligjencë Financiare, Certifikatë, Lubjanë 2010; Sfidat në Rindërtimin e shoqërisë multietnike, organizuar nga Instituti Amerikan për Paqe (USIP USA), 2001, si dhe shumë trajnime profesionale dhe administrative.
Vdekja e gjeti në detyrën e zv/ministrit të Bujqësisë./Mediafokus.info

