Përleshje në një shkollë në Prishtinë, theret me thikë një nxënës

Rrahjet dhe përleshjet mes nxënësve në shkolla janë shumë të shpeshta, raporton Gazeta Sinjali.

Një përleshje fizikie ka ndodhur edhe dje pasdite në shkollën ‘Shtjefën Gjeçovi’ në Prishtinë, ku si pasojë një person ka mbetur i therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se 18-vjeçari është dërguar atje me plagë në këmbë, të cilat dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditjet me një mjet të mprehtë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë. I njëjti është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës.

Sipas tij, një grup i të rinjve që dyshohet të jenë nxënës të shkollës së njëjtë, i kanë sulmuar fizikisht atë dhe tre shokët e tij.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk është arritur që ata të identifikohen.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, teksa po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.