Përmbyllet festivali i fëmijëve ‘Lyra-Gjilan’ 2021
Në Gjilan ka përfunduar edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit “LYRA – GJilan” 2021.
Edhe pse këtë vit u paraqitën shumë pengesa, duke përfshi këtu edhe krizën e fundit energjetike, Festivali arriti të ruaj kualitetin e tij të lartë duke sjellë në skenë këngë të bukura nga bota muzikore fëmijërore.
Drejtori i festivalit, Kushtrim Jakupi ka thënë se asnjë pengesë nuk mund ta ndalë këngën e bukur për fëmijë.
‘Festivali edhe këtë vit na dha edhe më shumë shtytje për të vazhduar edhe në edicionin e rradhës me dëshira për një të ardhme edhe më të mirë’, ka thënë Jakupi.
Ai ka falënderuar Ministrinë e Kulturës për ndihmën e vazhdueshme dhënë festivalit, Teatrin e qytetit – Gjilan, me drejtor Erson Zymberi, kompaninë ABC – Design për skenën e bukur, “Korabin”, bashkëpuntorin e 12 viteve me rradhë për ndriçimin, skenën dhe zërimin, pastaj “Dancing house” me koreografen Naski Ahmeti, producenten Albina Demollin, udhëheqëset e programit Diana Toska dhe Triola Jakupi, Korin e shkollës së muzikës, nën udhëheqjen e dirigjentit Artan Jerliu dhe posaqërisht Radio Televizionin e Kosovës me redaktore Shqipe Spahiu për mbështetje të festivalit!
Po ashtu, Jakupi ka falemnderuar edhe prindërit e fëmijëve, të cilët kanë qëndruar pranë këtij organizimi.

