Përplasja për mocionin, Konjufca i dha të drejtë opozitës kundër LVV-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dhënë të drejtë futjes në rend të ditës të mocionit për formimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideroi të jashtëligjshëm nismën e opozitës.
Konjufca, tha se do t’i japë “pjesërisht të drejtë” opozitës lidhur me mocionin procedural për futje në rend të ditës të pikës për formimin e Komisionit Hetimor.
“Unë du t’i japë të drejtë pjesërisht opozitës sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje, dhe kam dal e kam thënë se ajo ka qenë gabim”, tha Konjufca, në seancën parlamentare që po zhvillohet sot.
“Unë mendoj se tani duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave për këtë Komision Hetimor”, tha Konjufca.
Megjithatë, shumica qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtoi formimin e Komisionit Hetimor.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar në seancën e sotme parlamentare se procesi i formimit të Komisionit Hetimor nuk ka ligjshmëri.

