Përse Luta e takoi Agimin dhe e anashkaloi Dullën?
Dy nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e Agim Veliu, janë parë bashkë sërish, shkruan Mediafokus.info.
Duke qenë miq të vjetër, respektin për njëri-tjetrin e kanë shpërfaqur edhe në publik, me deklarata në superlativ.
Lajmin për këtë takim e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Agim Veliu, i cili ka thënë se kanë diskutuar për projektet e përbashkëta.
“Pata kënaqësinë të pres në takim mikun tim, Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.Diskutuam për projektet e përbashkëta që bashkërendojnë punën dhe veprimtarinë ndërmjet MPB-së dhe nivelit komunal, me theks të veçantë situatën aktuale të pandemisë Covid-19 dhe bashkëpunimin me Qendrën Operative Emergjente në Gjilan”, ka shkruar Veliu, në profilin e tij në Facebook.
Por, një javë pas formimit të Qeverisë së re, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri nuk e ka takuar kryeministrin Avdullah Hoti, për të cilin ka shprehur haptas mosbesim.
“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info./Mediafokus.info/

