Persona të armatosur ia grabisin kosovarit automjetin ‘Audi Q7’ në Shqipëri

Gjashtë persona të armatosur me kallashnikov dhe me dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me fenelinë policie, kanë grabitur mbrëmë një shtetas nga Kosova duke i marrë atij automjetin “Audi Q7” me targa 04-599 FO.

Pre e grabitësve ka rënë Meriton Ahmetaj, 27 vjeç, nga fshati Korishë i komunes së Prizrenit.

Ai ka qenë duke u kthyer nga Mali i Zi, kur rreth orës 22:00 në Milot, dy automjete, njera prej të cilave e paisur me fenelinë policie i janë venë në ndjekje.

Drejtuesi i automjetit ka kujtuar se janë punonjës policie dhe ka ulur shpjetësinë në 60 km/h. Ndërkohë që kur ka vënë re se automjeteti me fenelinë policie po i qëndronte prapa, ai ka rritur shpejtësinë deri në 80 km/h për të vazhduar rrugën normalisht.

Në këtë moment njëri prej automjeteve e ka parakaluar Audin Q7 me të cilen udhëtonte shtetasi nga Kosova duke i bllokuar rrugën, nderkohë që automjeti tjetër ka qëndruar prapa, shkruan Panorama.al.

Personat e armatosur me kallashnikov i kanë bërë thirrje drejtuesit të mjetit të dorezojë automjetin, duke e kercenuar se do t’a vrisnin.

Drejtuesi i automjetit nuk ka rezistuar dhe u ka dorezuar automjetin grabitësve.

Ai ka denoncuar grabitjen në komisariatin e policisë Laç. Forca të policisë së këtij komisariati janë vënë në ndjekje të grabitësve, por pa mundur ende që të kapin apo identifikojnë autorët.

Njoftimi i policisë:

Në aksin rrugor Milot-Rrëshen, persona ende të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me mjet tip “BMW ” , i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Audi” me drejtues shtetasin M.A., 21 vjeç dhe pasagjer shtetasin F.M., 21 vjeç, banues në Kosovë, ku pasi kanë ndaluar, ju kanë marrë automjetin dhe janë larguar.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor mënjëherë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë hetimit, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dokumentimin e kësaj ngjarje.

Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin disa shtetas që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike.

Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje, më qëllim kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. (foto arkiv)