Përurohet shtatorja e Leotrimit të vrarë nga serbët
Në Skenderaj, këtë të martë, është përuruar shtatorja e 7-vjeçarit Leotrim Ahmeti, i vrarë nga forcat serbe.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leotrimit 7-vjeçar që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës.
“Në këtë datë në shënojmë dy momente të rëndësishme: ditën e çlirimit të Skenderajt dhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë. Pa mbështetjen e shteteve mike, Kosovës vështirë që do t’i vinte liria që ka pritur me shekuj. Kjo pjesë e sheshit të qytetit nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leotrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. Pyetja e vetme që shtrohet është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si 7 vjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjërojë mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.

