Përurohet “Shtëpia e të Moshuarve”, Kastrati: Faleminderit Zotit dhe donatorëve

Të moshuarit do të kenë një vend më të ngrohtë për të jetuar pas përurimit të “Shtëpisë së të Moshuarve” në Suharekë nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Kryetari i “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, falënderoi Zotin dhe donatorët për realizimin e projektit që ai e cilësoi si jetësor, njofton Klan Kosova.

Kastrati tregoi se ideja për ndërtimin e kësaj shtëpie i erdhi kur e gjeti të vdekur një të moshuar për të cilin ishin duke u përkujdesur.

“Sot jam me plot emocione dhe nëse gaboj në fjalimin tim mos ma zini për të madhe. Ky ka qenë projekti i jetës time. E falënderoj Zotin dhe juve për realizimin”.

“Gjatë kësaj dekade të veprimtarisë tonë bamirëse si shoqatë dhe si person jam përballur me situata të ndryshme qoftë ekonomike, shëndetësore dhe sociale të qytetarëve anë e kënd Kosovës”.

“Prekëse, rrëqethëse dhe të pakapërdishme janë rrëfimet e të moshuarve tanë që nuk kanë shijuar mundësinë të jenë prindër”.

“Po i ndaj dy momente që ishin vendimtare që të mendoj për një projekt si ky. Ne përkujdesemi për të moshuar pa përkujdesje dhe çdo muaj i furnizojmë me gjëra ushqimore. Njërin nga pleqtë që e vizituam kishte ndërruar jetë pa e parë askush dhe me sy hapur. E një tjetër më tha “ti ke ledhatuar shumë jetimë dhe më lejo të t’i puth duart”. E falënderoj Zotin dhe të gjithë donatorët që ma mundësuan që unë të ledhatoj kokën e të moshuarve”, deklaroi Kastrati.