Pesë të mitur rrahin keq një 13-vjeçar, dërgohet në spital
Një përleshje me thika është raportuar dje rreth orës 13:00 në rrugën ‘Agron Rama’ në komunën e Obiliqit, ku janë përfshirë disa persona të mitur të cilët janë rrahur mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se në rrahje janë përfshirë gjashtë persona, ku pesë prej tyre kanë rrahur një 13-vjeçar, i cili ka marrë lëndime trupore.
Si pasojë e lëndimeve, ai është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur në tokë thikat të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes.
Të dyshuarit e mitur janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar në praninë e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, teksa Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes të rinjve.
Dyshohet se në rrahje kanë qenë të përfshirë edhe disa persona tjerë, por që të njëjtit nuk janë identifikuar ende nga Policia.
Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.

