Plagosen me armë zjarri dy vëllezër në Gjilan, njëri në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në fshatin Gumnishtë të Poshtme të Gjilanit, ku pas një konflikti mes tre personave, kanë mbetur të plagosur dy vëllezër, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës në Gjilan kanë bërë me dije se viktimat janë dërguar atje me plagë që dyshohet t’u jenë shkaktuar nga arma e zjarrit dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, njëri prej të lënduarve është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë i lënduar tjetër është në gjendje stabile dhe është liruar pas marrjes së tretmanit mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe tre gëzhoja të cilat dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.

I dyshuari është identifikuar, mirëpo i njëjti s’është arrestuar ende dhe po ashtu nuk dihen motivet që çuan deri në këtë ngjarje të rëndë.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.