Plagosja në Gjilan, aktivizohet “unaza e çeliktë” për të kapur të dyshuarit
Policia e Gjilanit ka aktivizuar “unazën e çeliktë”, duke bllokuar rrugët dalëse të qytetit, për të lokalizuar automjetin nga i cili kishte pasur shkrepje të armëve, nga të cilat një person mbeti i plagosur.
Një person rreth 35-vjeçar ka mbetur i plagosur në incidentin që ka ndodhur rreth orës 18:00 afër një pike karburanti në rrugën Gjilan- Kamenicë.
KALLXO.com mëson se i plagosuri është A. Krasniqi.
Ai është dërguar në QKUK për trajtim.
Të dyshuarit deri më tani janë të panjohur dhe Policia po punon për lokalizimin e veturës dhe identifikimin e të dyshuarit apo të dyshuarve në rast.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, të kërkuarit nga Policia dyshohet se lëvizën me veturë “Audi” ngjyrë e zezë.
Një incident me armë zjarri ka ndodhur të mërkurën, më 04.02.2026, rreth orës 18:00, rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjilanit, ka thënë për KALLXo.com se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku, sipas tij, gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërsa po trajtohen nga autoritetet shëndetësore”- ka thënë Hashani për KALLXO.com.
Hashani ka thënë se Policia në koordinim me prokurorin e shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.

