Plazhe për personat me aftësi të kufizuar, ja cili shtet e ofron

Në Shqipëri po aplikohet për herë të parë modeli i një plazhi publik për personat me aftësi të kufizuar.

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, tha se “ky është plazhi i parë dhe i vetëm i këtij lloji në Shqipëri dhe jam fort i lumtur që ndodhet në zonën tonë. Kjo hapësirë mundëson infrastrukturën, sinjalistikën dhe sigurinë e nevojshme për t’u aksesuar nga personat me aftësi të kufizuar”.

Ky plazh është pozicionuar 500 m larg rrethrrotullimit të Golemit dhe sjell standardet e mëposhtëme; një rrogoz aksesi, i cili është i rezistueshëm ndaj ujit dhe krijon akses në ujë për karrocat, personat që përdorin karrige me rrota, personat me vështirёsi shikimi, këmbësorët etj; një karrige me rrota lundruese plazhi që do të lejojë personat me aftësi të kufizuara fizike dhe tё moshuar për të shijuar detin; një dush të hapur, i cili është i aksesueshëm për personat me të gjitha llojet e aftësive të kufizuara; sinjalistika e nevojshme për identifikimin e plazhit të aksesueshëm.

Agjencia Kombëtare e Turizmit bëri të ditur se në kuadër të projektit është hartuar edhe një manual për plazhet e aksesueshme, në mënyrë që modele të tilla të përsëriten në gjithë bregdetin shqiptar.