Podi – vendbanim i vjetër i Pogragjës

Izier Hyda

Janë pesë toponime të vjetra, në fshatin Pogragjë, me rrënjën e fjalës Pod. Podi e Podmystafiz (ara) dhe Podi, Podina dhe Meçka Podina (male)

Arat e Podit janë të rrafshëta dhe një ndër arat më të pëlleshme të Pogragjës. Shtrihen në anën e majtë të rrjedhës së Moravës. Kufizohen me arat Binjake, arat Pakla dhe me arat e Sazit.

Këto ara të rrafshëta kanë një sipërfaqe prej 20 hektarësh. Janë tërë ditën në sy të diellit dhe të mbrojtura nga një shkëmb masiv me gjatësi rreth 1000 m e lartësi rreth 50 m. Te këmbët e këtij shkëmbi shtrihen livadhet dhe delta i Reka – Moravës

Podi ishte vendbanimi i hershëm i Pogragjës. Fjala Pod e ka burimin nga gjuha latine.

Podium – vend i ngritur, në një shesh (a në një sallë ku jepen shfaqje). Sipas studiuesve Pod do të thotë vendës – banor vendor.

Dhe vërtetë Podi për të cilin po flasim është një vend i ngritur, i rrafshët dhe i sheshtë – vend tipik për banim i ngjashëm me Trajat – Trojet, po ashtu një vendbanim i hershëm i Pogragjës.

Në vendin e quajtur Podi (tani janë ara) janë gjetur artefakte të shumta si: Enë të qeramikës nga epoka e Neolitit.

Monedha të kohës së Justinianit të prodhuara në Konstadinopoje Vegla pune e plumba për peshkim.

Në Pod, në vitin 1981, Haxhi Sabria i Malishevës së Epërme duke lavruar me traktor në këto ara, pikërisht në arën e Ahmet Isakut, e gjeti një gur të madh e thirri Emrush Rexhepin nga Pogragja që lavronte aty afër dhe me disa pogragjas të tjerë e nxorën këtë gur.

Është për tu përshëndetur kujdesi i tyre që ky gur të mos dëmtohet gjatë nxjerrjes, sepse më vonë u vërtetua se kjo pllakë guri me mbishkrime është një kapak i një sarkofagu – një stele mbivarrore me rëndësi arkeologjike.

Për këtë stele mbivarrore që u gjet në fshatin Pogragjë, për herë të parë ka shkruar arkeologeja Exhlale Dobruna – Salihu dhe arkeologu italan I. Kajanto.

Mbishkrimi latinisht në gur: D(is) M(anibus) Aur(elia) Petro nia Vix(it)ann is A(u)urel(lius) Pap ilus et Aur(elia) Ca ia vivi sibi et file b(ene) m(erenti) p(erunt) h(ic) s(ita) e(st)

Përkthimi shqip i këtij mbishkrimi nga Zef Mirdita “Antroponomia e Dardanisë në kohën Romake”

“Mbishkrimi në stele flet për dy përsona me emra Aurel Papilus dhe Aurel Caia (prindër) të cilët e ngritën këtë monument që ia kushtuan vetes për së gjalli dhe bijës së tyre me plotë meritë të quajtur Aurel Petronia që vdiq në moshën 12 vjeçare e cila tash pushon këtu”.

Ndërkaq sipas arkeologut italian I. Kajanto, në këtë mbishkrim, kemi të bëjmë me emra vendas, sepse emri Papilus shfaqet për herë të parë në këtë stele të gjetur në Pogragjë në vitin 1981.

Kjo stele mbivarrore dhe këto artefakte flasin me gjuhën e arkeologjisë, mjaftueshëm, se Podi ka qenë një vendbanim shumë i herëshëm i Pogragjës.

Ky toponim, së bashku edhe me katër variantet e tij Podmystafiz, Podina, Podi (i Bilinicës), Meçka Podina janë ruajtur nga vendësit dhe përdoren edhe sot.

………………………………

Foto: Stela mbivarrore e zbuluar më vitin 1981, në fshatin Pogragjë, në arat e Podit dhe disa banorë të Pogragjës