Podujeva zgjedh sot kryetarin e Komunës

Podujeva voton sot për kryetarin e ri të Komunës, i cili do të ketë mandat të kufizuar, deri në zgjedhjet e rregullta të vitit 2021. Posti mbeti i lirë pas shkuarjes së Agim Veliut në qeveri.

Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Podujeva ka 87 mijë e 381 votues.

Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Ndërkohë, zgjedhjet sot po mbahen edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.

Këtu garojnë Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313.