Poeti Avdush Canaj kremton sot 70-vjetorin e lindjes

Poeti Avdush Canaj, njëri nga penat më të dashura për të vegjëlit, ka mbushur sot 70-vjet. Ai është një libër me faqe të arta.

Canaj është uruar nga vajza e tij Klodiana, me fjalë të zgjedhura.

“Gëzuar 70-vjetorin, babi. Vitet kanë kaluar si një libër me faqe të arta, ku çdo fjalë e jote ka lënë gjurmë në fëmijërinë tonë. Na mësove të ëndërrojmë, të qeshim dhe të besojmë në magjinë e fjalës. Mes vargjeve tuaja gjetëm ngrohtësi, dhe në heshtjen tënde – forcë.
Je nje baba,një poet dhe një njeri i rrallë. Paç edhe shumë vite të bukura mes nesh, me shëndet, me dashuri dhe me atë humorin tënd që s’e ka lëkundur as koha, as jeta” – ka shkruar Klodiana Canaj Morina.

Përndryshe, Avdush Canaj është një poet, prozator dhe gazetar i njohur nga Gjilani, i lindur më 12 qershor 1955, në Koretin.

Ai është një nga emrat më të shquar të letërsisë për fëmijë dhe të rinj në Kosovë, me një krijimtari që shtrihet në më shumë se katër dekada.

Në vitin 1977, ai u punësua gazetar në Televizionin e Prishtinës, në programin për fëmijë.

Në vitin 1983, gjatë shërbimit ushtarak në Sarajevë, u dënua me pesë vjet burgim të rëndë nga autoritetet jugosllave, për shkak të veprimtarisë së tij intelektuale dhe atdhetare.

Pas vuajtjes së dënimit, ai u rikthye në RTK, ku vazhdoi punën në programet për fëmijë.

Avdush Canaj është autor i shumë librave, përfshirë poezi dhe prozë për fëmijë dhe të rinj.

Disa nga titujt e tij më të njohur janë: Gjeneral pa epoleta (1993), Lepurushi i çokollatave (1994), Gonxhe nga Jupiteri (2000), Zogu në derë (2003), Peshku me pizhame (2008), Mollët me syze (2010), Dallëndyshet e gjumit (2011), Fluturat me sandale (2013), Ylli pikturon ëndrrën (2015), Buzëqeshje prej dielli (2019), Një yll të pret (2020) dhe të tjerë.

Për punën e tij krijuese, Avdush Canaj ka marrë shumë çmime letrare dhe është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj në Kosovë.

Kritika ka theksuar se ai është një poet i rrallë, me një stil të veçantë dhe një botë artistike të pasur dhe të ngrohtë./Mediafokus.info