Poetin e vrau pushteti sepse ai guxoi që Beogradin ta quante “qytet i zi”
Pesëdhjetë e dy vjet më parë, më 15 shkurtit të vitit 1972, UDB-ja jugosllave me shërbëtorët e vet, vrau poetin Alush Canaj, shkruan Mediafokus.info
Poetin e vrau pushteti për shkak të zërit të tij të fuqishëm kundër padrejtësive që po i bëheshin popullit të tij dhe për shkak të dashurisë që ai ndjente dhe shprehte për Shqipërinë, për shkak se po bëhej një zë i fuqishëm kundër robërisë dhe një zë që kërkonte liri për popullin dhe tokën e tij.
Alushin e vranë për shkak të krenarisë së tij dhe guximit intelektual për t`i thënë gjerat ashtu siç ishin dhe jo ashtu siç dëshironin të tjerët.
Ai nuk pranonte të ishte me “të tjerët” për asnjë çmim, nuk bënte pazare dhe as kompromise me krenarinë e tij si njeri dhe as me krijimtarinë e tij si poet.
Alushi e kishte guximin që Beogradin ta quante “qytet i zi”, ashtu siç ishte në të vërtetë Beogradi për shqiptarët në çdo kohë.
Mesazhet e tij poetike kanë frymëzuar jo vetëm brezin e tij, por edhe pasardhësit, për ta parë Beogradin ashtu siç ishte në të vërtetë, i zi futë, nën ambalazhin e bardhë.
Poetika e Alush Canajt, një djalosh shumë i ri për nga mosha, është e bazuar në elementë kombëtarë, që autori është i mëshiruar aq fort, pavarësisht se sistemi i kohës i urrente dhe përbuzte gjithandej.
Ky realitet do ta bënte Alushin edhe më të zëshëm, përballë një tragjike personale, që ai edhe pse e ndjente, nuk tërhiqej.
Në veprën “Mbrëmë putha lirinë”, Alush Canaj na shpërfaq gjithë ndjeshmërinë e tij ndaj një realiteti të hidhur për shqiptarët, në një shtet që ata i donte të varfër, të paditur e të pashkolluar, i donte robër e shërbëtorë të përjetshëm.
Alushi filloi ta demaskoj këtë realitet dhe kjo e revoltoi “qytetin e zi”, i cili përmes njerëzve të tij, ia përgatiti vdekjen poetit në mënyrën më të pabesë.
E vranë në vitin 1972 dhe e heshtën për njëzet vjet vargun e Alushit. E heshtën, por nuk arritën ta mbysin poezinë e tij.
Në vitin 1992, nën përgatitjen e vëllait Avdushit, u botua një pjesë e opusit të tij letrar, i përmbledhur në librin me titull “Vals veror”, për të botuar më vonë të plotë krijimtarinë e tij në përmbledhjen “Mbrëmë putha lirinë”.
Libri “Mbrëmë putha lirinë” është një përmbledhje prej gjashtë ciklesh dhe përbëhet prej 71 vjershave, disa fletëza ditari si dhe dy përkthime e disa fotografi nga jeta shkollore dhe familjare e autorit, ku dëshmohet një talent i rrallë duke marrë parasysh moshën e re të poetit, i cili u vra në të 19-tat e tij.
Alush Canaj iku i panënshtruar në gjakimin e tij për lirinë, përballë atyre që e torturuan dhe e helmuan në fund, sepse i tillë ishte ai.
Alushi iku i pathyer për një dashuri të madhe, hyjnore, për dashurinë ndaj popullit dhe kombit të tij. /MediaFokus.info/

