Poezi tronditëse e një shpirti të trazuar

ANTON NIKË BERISHA

(Parathënia e librit me poezi të zgjedhura të Din Mehmetit, PSHËRETIMA DJEGAGURË, edituar para pak kohësh nga shtëpia botuese, “Beqir Musliu, Gjilan, 2025)

“Bukuria e gjithçkaje mbi tokë qëndron në mundësinë për t’u përsosur. Gjithçka ka dhuntinë e kësaj veçorie: të rritet, të shtohet, të forcohet, të fitojë, të përsoset, të vlerësohet më mirë sot se dje; kjo është në të njëjtën kohë lavdia dhe jeta. Bukuria e artit qëndron në faktin se ai s’është i ndjeshëm ndaj përsosshmërisë” .

VIKTOR HYGO

Kur e lexon me vëmendje dhe thellohesh në qenësinë e poezisë së Din Mehmetit, të botuara në 15 përmbledhje, ballafaqohesh me një varg dukurish, jo vetëm të natyrës së poezisë si lloj letrar poetik që vë komunikim të veçantë me marrësin, po dhe të vetë artit të fjalës në përgjithësi.

Them kështu nga fakti se kjo poezi sa shpreh përditshmërinë, rrjedhën e jetës së njeriut tonë në një periudhë të caktuar, shqetësimet, brengat dhe tragjiken e shumëfishtë, po aq përligj një botë përfytyruese, imagjinative “I shalon ëndrrat”, që krijohet përmes gjuhës, përmes të shprehurit poetik, ku dëshmohet shumësi kuptimore e teksteve, herë – herë e skajshme.

Poeti Din Mehmeti, siç ndodhi dhe me poezinë e Azem Shkrelit e të Mirko Gashit, për të mos i përmen-dur poetët tanë të tjerë, përftoi një botë poetike të mëvetësishme, ku dëshmohet tradita, po dhe poezia moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Pra, puna e tij prej poeti ndërlidhet me atë që pati thënë Papa Gjon Pali II në një letër dërguar artistëve: “Artisti kur i jep trajtë veprës së tij, jo vetëm që e shpirtëzon veprën e tij, por, simbas mënyrës së tij, e dëfton edhe personalitetin e tij.

Në art ai gjen përmasë të re dhe rrugë të jashtëzakonshme të shprehjes për ngritjen e tij shpirtërore. Me anë të veprave të tij të realizuara, artisti ligjëron dhe komunikon me të tjerët.

Historia e artit, nga kjo anë, nuk është historia e veprave, ajo është po ashtu edhe histori e njerëzve […] Artisti gjendet gjithnjë në kërkim të kuptimeve të fshehta të gjërave, mundimet e tij krijuese janë përpjekje për ta shqiptuar botën e pashprehshme (e padukshme)”.

Ajo që e përshkon poezinë e Din Mehmetit mund të përmblidhet me mendimin e tij: “Dielli ynë është vetëm drita që lind prej nesh dhe udhëton me ne”.

Është pikërisht drita që i ka prirë poetit për t’iu qasur, par ta shprehur dhe për ta krijuar botën e veçantë e të pasur poetike përmes tekstit.

Natyrisht, në fillim kërkimi i poetit tonë në rrafshin e të shprehurit poetik është i përvuajtur, por me fitimin e përvojës, me pasurimin e dijes për letërsinë, me ngritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e poezisë, me të cilën ai qe i lidhur të thuash gjatë gjithë jetës, të përligjur në disa përmbledhje, të shprehurit modern poetik bëhet thelbi i poezisë së tij.

Në to ai ka përdorur një gjuhë figurative, një tekst poetik të ngritur e me forcë komunikuese dhe ndikuese të madhe.

Kjo e përafron me poezinë moderne në letërsinë tonë dhe me poezinë moderne në Evropë dhe më gjerë.

Njëmend, Din Mehmeti mbështetet dhe mëson nga poezia kombëtare dhe nga ajo ndërkombëtare, po nuk bëhet imitues i tyre. Përkundrazi, siç theksonte Viktor Hygoja, “E njëjta frymë me tjetër tingull”, “E reja juaj është përsëritja e së vjetrës” ose “Gjithçka rifillon me poetin e ri dhe në të njëjtën kohë asgjë nuk ndërpritet”.

Të shprehurit e mirëfilltë modern i ka mundësuar Din Mehmeti: gjuhën poetike më të pasur, të shprehurit më të shumëllojshëm e më të lartësuar dhe fshehjen (vendosjen) e kuptimeve në shtresat thellësore të tekstit, me çka nënteksti – kontekstit poetik merr përmasa më të madhe .

Në disa poezi, ku shprehet gjendja e vështirë e jetës së njerëzve tanë në Jugosllavi, nën shtypjen dhe nën sundimin e popujve më të mëdhenj, pësimet dhe vuajtjet e vijueshme që u shkaktuan, mendimi bëhet përbërësi kryesor, ndërsa mjeshtëria dhe bukuria e të shprehurit mbetet në vendin e dytë.

Në fillesë: lirikë e lidhur me natyrën e jetën në malësi

Poezia e fillimit e Din Mehmetit është e lidhur ngushtë malësinë, me natyrën, po edhe me jetën e trazuar, të trishtë e tragjike, që e cilësonte përditshmërinë.

Të kujtoj këtu vetëm librin e parë “Në krahët e shkrepave” të botuar më 1961 dhe “Rini diellore” (1961) për të mos i përmendur edhe disa nga titujt e poezive që e përligjin këtë.

Brenda këtij ambienti dhe kësaj jete poeti veçon sidomos trazimet, vuajtjet e njerëzve, dramat e brendshme dhe të jashtme.

Në tekstet e poezive shqiptohen rrethana jetësore që janë “Shkreptima vetëtimash”, ku “Kroi bënte simfoni pikëllimi”.

Pra, Din Mehmeti u qaset dhe i shpreh ato dukuri që shprehin tundime, vuajtje dhe pësime, herë – herë të skajshme, që përligjin psherëtima djegagurë nga se “Jeta është dramë në të cilën luajmë mashtrimin tonë” dhe se “[…] jeta ngjet brenda vdekjes”.

Një pësim i tillë nuk e cilëson vetëm jetën e një katundi konkret, fjala vjen, vendlindjen e poetit, Gjocaj, po shtrihet shumë më gjerë; duke shënjuar një mënyrë – model se si vuante dhe pësonte njeriu ynë në rrethana të tilla në ish Jugosllavinë, kur tjetri bënte çmos ta pengonte në rrugën jetësore, për të mos thënë ta bënte të paqenë.

Mirëpo, sa më e madhe që janë dhuna dhe pësimi, aq më e madhe bëhet ndjenja e flijimit dhe e qëndresës.

Dini poet e shqipton këtë përmes një të shprehuri poetik të lartësuar, që si kuptime janë tronditëse: shtëpinë e djegur shqiptarët do ta mbulojnë (t’i vënë kulmin) me lëkurën e tyre:

Digju se do të ndërtojmë sërish
Do të mbulojmë me lëkurën tonë
(Para shtëpisë së djegur)

Për ta shprehur (dëshmuar) këtë gjendje të parën-domtë, me pasoja të rënda, po sjell një pjesë të poezisë “Po fryn”, tekst sa tundues aq dhe lemeritës:

Rri zgjuar se
po ligështohen fjalët
që mbartin të vërtetën përtej territ
njerëzit shndërrohen në gjarpërinj
që sjellin vdekjen e dritës
e hëna përtyp të martën e marta të mërkurën
e mërkura të enjten
kështu me radhë deri tek e diela e eshtrave

Edhe poezia me titullin “Fshati i ngrirë”, e përligj këtë gjendje thellësisht; është një nga pamjet më tronditëse të jetës në katundet shqiptare të Kosovës.

Shtëpi të ngrira
Gërmadhave të heshtjes
Dritare që vështrojnë
Diçka të llahtarshme
Në pafundësi!
Fragmente të përgjakura legjendash
Telave të këputur të çiftelive
Që edhe vallja e fundit
E një dasmeje
E djegur në lëndinë
As këngë
As vaj
Boshëri hiri
Edhe zogjtë kanë ikur…
(Fshati i ngrirë)

Kjo dramë e shprehur dhe e përftuar përmes tekstit poetik lidhet me flijimet dhe me pësimet e të gjithë shqiptarëve të Kosovës, pa marrë parasysh vendin, moshën, besimin.
Ja edhe njerëzit

Akuj të zgjatur strehëve në dimër
Shikohen të frikësuar mes veti
Pa thënë asgjë
(Verbim i bardhë)

Pësimet nga një jetesë e tillë janë të rënda, herë – herë vështirë dhe të mendohen: Është kohë rrufesh, nga se “Vetëm terri mbetet mbretëria” dhe “Drita villte pikëllimin”, gjë e cila bën që “Njerëzit nuk njihen më”.

Gjithçka niset nga vetja, nga bota e brendshme

Bota shpirtërore e Din Mehmetit është e lidhur ngushtë me poezinë e tij, siç e shpreh poezia e tij mirëfilli botën dhe shpirtin e poetit, po dhe botën dhe shpirtin e njeriut tonë.

Ndodh ashtu si thoshte Viktor Hugo për poezinë e Shekspirit: “Poezia e tij është ai vetë (Shekspiri – v. ime), e në të njëjtën kohë jeni dhe ju vetë”.

Poezia dëshmon se Din Mehmeti ishte një shpirt i ndjeshëm përballë vetes dhe përballë njeriut të tij, përkatësisht përballë botës që i përkiste.

Ishte i trazuar dhe shqetësuar për atë që ndodhte brenda tij dhe në mjedisin shoqëror dhe politik ku jetonte.

Kjo ndodh nga fakti se ai qysh në hapat e parë të krijimit të poezisë vërehet se ka hyrë në thellësi të dukurive të jetës e të kohës në të cilën jetoi, që cilësohej me të papritura dhe me vuajtje.

Çështjet që i shpreh në poezitë e tij janë sa të rëndësishme aq dhe të ndërliqshme. Kështu brenda tekstit të poezive ai bën pyetjen: “Kujt i takon jeta ime?”; “Jeton në mua një njeri i heshtur”, “Askush s’ka ku të fshihet nga vetvetja” për të theksuar pastaj “Je lypës i vetvetes n’shtëpinë e stuhisë / Gjithnjë më larg vetes”.

Pra, gjithçka ndodh brenda dhe jashtë tij niset nga vetvetja nga se.

Si ta shkundi zemrën nga llahtaria
Ç’të bëj me ëndrrat e murosura
Agimeve të fundosura
(Unë e liria)

Këto pyetje dhe mëdyshje ndërlidhen pa ndërmjetësisht me rrjedhën e jetës, me atë që ai përjetoi gjatë në shpirtin e tij dhe tek rrjedha e botës që i përkiste: “Të shpëtojmë nga kjo derdhazë” (përmbytje).

Brenda kësaj gjendje të jetës së ngarkuar me vuajtje e tragjika, veçanërisht shpalosën tri çështje tronditëse: 1) “Jeta ime murmurimë në dimër”, 2) “Pezull mbi mua rri klithja” dhe 3) “Diçka më përgjak në frymë”-

Poeti bëhet i vetëdijshëm për prapësitë dhe pësimet që i shkakton jeta në rrethana të tilla, kur është në zgrip ta gjunjëzimit dhe të rrënimit.

Këtë gjendje të tillë e përligjin edhe këto vargje që lidhen edhe me jetën e babait të tij “Me do varre në bebëza”, po edhe me brezin paraprak, me fëmijët e rritur në kushte të tilla:

E gjurmëve të derdhura shtigjeve të akullta
janë rritur fëmijët e tij
porsi lulet e zverdhura në të çarat e gurëve
(Hyrja në këngë)

Përkundër kësaj gjendje, skajshmërisht rrënuese, Din Mehmeti është i bindur se duhet t’i gjejë forcat brenda vetes dhe ta përballojë (bashkë me njerëzit e tij) atë dhe të dëshmojë se duhet jetuar, se meritojnë ta përjetojnë jetën edhe ata.

Nuk do të mbërrish gjer te fundi
Sepse ai është në ty –
Nëpër këmbësoret e rrahura buzëve të shkëmbit.
(Në shtigje)

Pësimet dhe tragjika e vijueshme nga të tjerët

Në një varg poezish Din Mehmeti e shqipton të keqen që i solli tjetri atij dhe njeriut të botës së tij në shtetin e Jugosllavisë, sidomos nga politika shoviniste serbe, me veprime të menduara, të fshehta dhe me pasoja që t’i detyrojë shqiptarët në trojet e veta t’u nënshtrohen pa kushte e pastaj t’i shfrytëzojnë sipas dëshirave të tyre.

Në ndonjërën prej këtyre poezive ndriçohet ligësia e shfrenuar dhe rrënuese ndaj shqiptarëve, pa kursyer as mjetet e as mënyrat.

Ata u bënë histerikë
Bërtasin gjithandej
Gjithëkëndej: Kosova është djepi ynë […]
Sytë plot varre tona i kanë
Si akullishta të nxira tradhtia
U lëviz në çdo fjalë
Natën nuk flenë
I çmend e vërteta se janë të ardhur
I frikësohen bubullimës së kësaj toke
Se do t’i hajë një ditë
Nëpër shi vetëtima…
(Frika e përjetshme)

Egërsia dhe ashpërsia qenë të tilla sa poetit i lëkundet edhe vetë kuptimin për jetën njerëzore.

Vetëm tela e gjemba në frymën njerëzore
Vetëm varre të njohura dhe të panjohura kufijve
(Si mund të dilet në bregun e diellit)
Mjedis shoqëror dhe veprime e tilla, ku ndodhin gjëra të tmerrshme, që dëshmojnë për vetëdije të fjetur të njeriut, e bën poetin të dëshpërohet e të zhgënjehet për njeriun: “Të zhgënjyer për ndyrësitë e njerëzve” nga fakti se Lakuni e çmendur, ulërimë / Në këtë natë vdes e lind pa zhurmë pa fjalë.

Ky pësim dhe rrënim shtrihet edhe tek të gjithë njerëzit e botës që i përket poeti, pra ka përmasa kombe-tare:

Një legjendë është populli im,
i djegur si guri i plasur në flakë
(Një legjendë)

Kjo ditë ka në vete vetëm natë
Gjallëron me shpresat e thyera
(Nga sytë e njerëzve dalin bishat)

Sytë e atdheut
Janë lotët e rrufesë
Që vizaton fytyrën
E tokës nënë
(Sytë e përjetshëm)

Për pësimet e tilla të shqiptarëve në ish Jugoslla-vinë, poeti Azem Shkreli do të shkruajë Fati i marrë herët na mori n’thua dhe Kishte koha ethe, kishte koka frymë.

Duhet thënë se gjendje të ngjashme ndodhën edhe në vendet e tjera komuniste në Evropë.

“Në këngët e mia bën furtunë”

Rrjedha e tillë e jetës ka ndikuar dhe në vetë hartimin e poezive të Din Mehmetit, që është dukuri e natyrshme: poezia është fryt i shpirtit të poetit dhe i asaj që ndodh në mjedisin shoqëror ku ai jeton ose më gjerë.

Pra, poezia së pari është dialog me veten, me vuajtjet dhe me pësimet e pazakonshme që ndodhin brenda tij, që pastaj shtrihen edhe tek tjetri; shqiptojnë atë që ndjen edhe njeriu i tij.

Etja e poetit për poezinë është e parëndomtë; ajo është jeta dhe varri i tij:

Në gjirin e saj
Jeta dhe varri im
(Fjala)

Poezia është “Këngë që shkrin gurë në zemër” (Ishte një gisht i ngritur), ndërsa lexuesi për të është: […] e keqja ime më e bukur (Fjala)

Edhe pse poeti, siç thuhet në poezinë “Poeti”, është

Urë e bardhë
Mes kohëve
Dhe njerëzve
po që (poetë) edhe
[…] ia shtrydhin
Gjakun e keq mendimit
(Nata e poetëve)

në kohë dhe në rrethana të tilla ai pëson dhe vuan. Këtë poeti ynë nuk e fsheh, po e thotë në mënyrë të qartë:

Në këngët e mia bën furtunë
dhe
Se tymi i zi ka hyrë në fjalë
Si shi i zi në mendime m’pikon
(Të të pyes diçka)

Trazimi dhe vuajtja shpirtërore shprehen në mënyra të ndryshme, edhe përballë mendimeve që ngërthejnë vargjet dhe poezia:

Për çdo ditë
mendimet e mia i godas me grushte
dhe hap plagë
mbi idhujt e djegur
e dridhem si para vdekjes së shpirtit
(Besëkota ime)

Poeti ndodhet para rrënimit të plotë nga se po i ikin fjalët, me të cilat i përfton vargjet e me to poezitë.

Po ikin fjalët e mia nga unë
(Zjarreve të fjalëve)

Thuhet pikërisht ajo që e shprehte dhe njëri nga poetet tanë më të shquar, Azem Shkreli: Ja dhe fjala na la përgjithmonë po arratiset fjala […] / Në mbeçim pa fjalë paj s’ka shëmtim që s’na ka hije.

Në mbyllje po them se në qoftë se përfillet ajo që thoshte Edgar Allan Poe “[…] një poezi e meriton vlerësimin e saj për aq sa ajo arrin ta ngacmojë emocionalisht shpirtin duke e lartuar atë ”, mund të them se poezia e Din Mehmetit e zgjedhur në këtë vëllim e dëshmon këtë në mënyrë të mirëfilltë.

Mbetet që secili ta përjetojë e të ndikohet prej saj në mënyrën e vet, siç i ndodhi dhe autorit që e bëri zgjedhjen dhe e hartoi parathënien.