Policia e Gjilanit kërkon bashkëpunim nga qytetarët për gjetjen e 88-vjeçarit

Sot më datë 20.10.2021 Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka vazhduar kërkimin në Novobërdë, të qytetarit Boshko Mladenoviç, i lindur më 1933 në fshatin Strazhë, Komuna Novobërdë, i cili nga data 09.10.2021, ka dalë nga shtëpia në orët e vona të mbrëmjes dhe që nga ajo natë nuk dihet për fatin dhe vendodhjen e tij.

Familjarët kanë njoftuar policinë që ai përveçse ka probleme shëndetësore, është 88-vjeçar dhe ekziston dyshimi se ka mund të ngel rrugës diku.

Sot Policia e Kosovës, bashkë me trupat e FSK-së dhe vullnetarë nga shoqëria civile, anëtarë të klubit alpin ”Gjilani”, kanë kërkuar personin e humbur/zhdukur.

Kërkimi ka zgjatë rreth katër orë në një perimetër rreth pesë kilometra rreth shtëpisë së tij, për të vazhduar edhe nesër.

Edhe për kundër kërkimit në një terren malor, deri më tani nuk është arritur të gjendet personi në fjalë, kjo është dita e dhjetë e një kërkimi intensiv nga faktorët e sigurisë PK-ja dhe FSK, banorët lokalë të fshatrave të komunës së Novobërdës.

Policia rajonale në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit janë duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast.

Ndërkaq, Policia Rajonale e Gjilanit kërkon bashkëpunim nga qytetarët që për çdo informacion që mund të keni për personin e humbur të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192 dhe 122.