Policia e Gjilanit viziton familjet e zyrtarëve policorë të rënë në shërbim të vendit
Në kuadër të shënimit të Ditës së Policëve të Rënë në Detyrë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, përfshirë edhe vizita tek familjet e zyrtarëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se këto aktivitete u zhvilluan për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe nderimin e pakushtëzuar për sakrificën e zyrtarëve policorë, të cilët dhanë jetën në mbrojtje të ligjit, rendit dhe sigurisë së qytetarëve.
“Në kuadër të vizitave, është nderuar edhe familja e policitë Lazim Rexhepi, polici i parë i rënë në detyrë në Republikën e Kosovës, duke vendosur lule tek pllaka përkujtimore, në shenjë respekti dhe përkujtimi të përhershëm për veprën dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm”.
“Policia e Kosovës qëndron gjithmonë pranë familjeve të policëve të rënë, duke vlerësuar dhe respektuar lartë dhe me nder për të gjithë ata që dhanë jetën për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në shoqëri”, thuhet në njoftim.
Vizitat janë realizuar nga zëvendësdrejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Nënkolonel Remzi Azemi, bashkë me stafin udhëheqës të drejtorisë, komandantët e stacioneve policore të Gjilanit dhe Kamenicës, si dhe kryetarin e Komunës së Kamenicës.

