Policia e Kosovës ka arrestuar 20 persona të dyshuar për zjarrvënie
Përkundër apeleve të shumta për të mos ndezur zjarre, prapëseprapë ka pasur persona që, me qëllim, ose pa qëllim e kanë bërë këtë. Në qershor, korrik e gusht, përhapja e zjarreve ka qenë shqetësuese për qytetarët e vendit dhe institucionet në përgjithësi.
Lidhur me këtë situatë Policia e Kosovës njofton se nga muaji qershor i këtij viti janë evidentuar: 109 raste të ‘zjarrvënieve’ , 71 – raste të ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe 95 incidente zjarri, duke shkaktuar kështu rrezik për jetën e qytetarëve, por edhe pronën në përgjithësi, si atë private dhe shtetërore.
Lidhur me rastet e sipër cekura nga Policia e Kosovës të janë iniciuar procedura penale, janë identifikuar 41 persona të dyshuar, si dhe janë arrestuar gjithsej 20 persona të dyshuar të përfshirë në to.
“Policia e Kosovës po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa të vazhdueshme ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhet në njoftim.


 
 
						 
						