Policia e Kosovës lanson aplikacion digjital ‘Lajmëro Policinë’
Policia e Kosovës ka lansuar aplikacionin digjital për qytetarë, “Lajmëro Policinë”, raporton Mediafokus.info.
Që në fillim të vitit 2020 Policia e Kosovës ka lansuar aplikacionin digjital “Lajmëro Policinë’, ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës rajonal në Gjilan.
Kjo platformë ua mundëson qytetarëve të lajmërojnë të gjitha rastet në Policinë e Kosovës.
Përmes kësaj platforme Policia e Kosovës ofron cilësi të shërbimeve policore, zbatim të ligjit dhe nivel të lartë të sigurisë për të gjithë.
Ky aplikacion është një alternativë e re, e pakufizuar në kohë, mundësi dhe territor, që brenda pak sekondash qytetari mund të ndajë informacione me Policinë.
Aplikacioni ofron konfidencialitet, transparencë dhe besueshmëri, pasi që të gjitha raportimet dokumentohen dhe denoncimi i qytetarëve mund të mbetet anonim varësisht nga përzgjedhja e qytetarit-donë apo nuk donë te mbetet anonim.
Ky aplikacion ofron mundësinë që çdo qytetar/e që posedon një telefon të mençur me sistem operativ “Android”, të raportojë çfarëdo rasti duke përfshirë edhe dërgim të dokumenteve apo fotove dhe të mbetet anonim, me kusht që informacionet të mos jenë qëllimkëqija, ka thënë Hashani.
Qasja në këtë aplikacion bëhet përmes 4 hapave:
1.SHKARKIMI I APLIKACIONIT
Aplikacioni mund të shkarkohet në platformën “PLAY STORE”, nga pajisjet mobile që operojnë me sistemin operativ “ANDROID”, ndërsa në të ardhmen do të jetë i qasshëm edhe në platformën “IOS” apo në telefonat IPHONE.
2.PËRZGJEHJA E GJUHËS
Aplikacioni përdoret në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht dhe qytetari me klikim e zgjedh gjuhën përkatëse.
3.PAJTIMI ME KUSHTET E PËRDORIMIT
Ky hap bëhet me përzgjedhjen e opsionit përkatës “Unë pajtohem me termat dhe kushtet” duke klikuar në butonin PRANOJ.
4.NGARKIMI DHE DËRGIMI I INFORMACIONIT PËRMES APLIKACIONIT.
Pasi të jetë ngarkuar ky aplikacion në telefon, qytetarët kanë mundësi të lajmërojnë shtatë (7) kategori të rasteve:
Dhunë, Vjedhje, Komunikacion, Armë, Korrupsion, Drogë, Tjera.


