Policia e Kosovës ndërmerr masa ndaj autobusëve që nuk ndalen në stacione të caktuara

Njësia e Trafikut në Prishtinë ka filluar kontrolle të shtuara ndaj autobusëve që nuk respektojnë ndalesat në stacionet e caktuara, duke ndërmarrë masa për parregullsitë e hasura në terren.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, qëllimi i këtij veprimi është rritja e sigurisë në komunikacion, parandalimi i rreziqeve të mundshme për udhëtarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

“Policia apelon te të gjithë shoferët e autobusëve që të zbatojnë rregullat dhe të ndalen vetëm në vendet e caktuara, duke treguar kujdes për jetën dhe sigurinë e udhëtarëve”, thuhet në njoftim.

Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.