Policia me apel për qytetarët: Mesazhe të rreme për gjoba, mos kryeni pagesa!

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me mesazhet mashtruese për ‘Njoftimin për Gjobat në Trafik’, që po qarkullon përmes SMS.

Këto mesazhe në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar siç shkruhet nga Autoritetet e Trafikut të Kosovës dhe përmbajnë linqe mashtruese.

Policia ka bërë një thirrje ndaj qytetarëve:

  • mos klikoni në asnjë link të dyshimtë
  • mos jepni të dhëna personale apo të kartelave bankare
  • mos kryeni pagesa përmes këtyre linqeve
  • fshini menjëherë mesazhet mashtruese

Nëse qytetarët kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, ftohen që menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës.

Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt, thuhet në njoftim.