Policia ndalon një person në Fushë Kosovë për ndezje zjarri

Shkaku i temperaturave të larta dhe erërave, zjarret potencialisht përhapen shumë shpejt dhe po ashtu shkaktojnë rrezik të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarr vënieve.

Policia e Kosovës më datë 03.08.2021, ka pranuar informacionin se në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, fshati Sllatinë gjendet një vatër e zjarrit ku po digjej një pjesë djerrine.

Njësiti policor ka reaguar menjëherë në lokacion dhe duke vlerësuar mundësinë e përhapjes së mëtejme të zjarrit ka njoftuar zjarrfikësit.

Zyrtarët policorë kanë ndaluar një person të dyshuar, janë ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore, ku në konsultim edhe me prokurorin kompetent është iniciuar rast për procedura të mëtejme, thuhet në njoftimin e policisë.