Policia në Gjilan shqipton 1.616 gjoba, konfiskon 36 patentë-shoferë

Policia në Gjilan, gjatë periudhës kohore 3.10.2025 – 9.10.2025, në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik, ka shqiptuar 1.616 gjoba.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të këtyre planeve, janë ndërmarr aktivitete edhe në hetimin e një aksidenti me pasoja fatale, 12 aksidenteve të trafikut me dëme materiale, 11 aksidenteve me të lënduar, si dhe janë shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për 36 ngasës.

Gjatë javës që lamë pas, njësitë e sektorit dhe komunitetit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në kuadër të projektit “Siguria e nxënësve dhe familjarizimi i tyre me komunikacion”, kanë zhvilluar aktivitete edukative në disa shkolla fillore të rajonit të Gjilanit.

Qëllimi i këtyre ligjëratave ishte përmirësimi i njohurive të nxënësve rreth rregullave bazë të komunikacionit rrugor, si dhe ngritja e vetëdijes për sjellje të sigurt gjatë lëvizjes në rrugë.

Aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me qëllim që të rritet niveli i sigurisë në trafik dhe të parandalohet përfshirja e fëmijëve në aksidente rrugore, thuhet në njoftim.