Politikani më i zëshëm shqiptar tregon përse ia ‘përplasi’ të gjitha krimet në fytyrë Daçiqit

Shaip Kamberi, ka qenë shumë i zëshëm në Kuvendin e Serbisë, për sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në këtë shtet.

Për herë të parë në histori, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë arritur që t’i fitojnë tre mandate në Kuvendin e Serbisë.

Janë Shaip Kamberi, Nadije Beqiri dhe Argjend Bajrami, deputetët që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvendin e Serbisë.

Mirëpo, që nga konstituimi i Kuvendit të Serbisë dhe votimi i qeverisë së re, ka qenë deputeti Shaip Kamberi, i cili është treguar shumë i zëshëm.

Madje në ditën kur u votua Ivica Daçiq si kryetar i Kuvendit të Serbisë, Kamberi u tregua mjaftë i zëshëm dhe kishte një paraqitje brilante, ku ia përmendi të gjitha krimet një nga një që ka kryer Sllobodan Millosheviq në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe luftën dhe krimet që kanë kryer në Kosovë.

E për të gjitha këto, ka folur vetë protagonisti. Shaip Kamberi, në një intervistë për lajmi.net, ka treguar arsyen përse ka zgjedhur ditën e votimit të Qeverisë së Serbisë, që t’ua thotë të gjitha krimet që kanë bërë në Kosovë e ish-Jugosllavi.

Në këtë intervistë, Kamberi flet edhe për “selamet” që Vuçiq ia dërgon pas çdo fjalimi të tij, e që padyshim janë kërcënime indirekte ndaj tij.