Politikat bujqësore, sa për sy e faqe
Nga: Nijazi Idrizi
(”Vendi mund të shërohet, koha kurrë”. Napoleon Bonaparte)
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka hartuar Planin 7 vjeçar për bujqësi dhe zhvillim rural me objektiva strategjike të zhvillimit për vitet 2007-2013. Plani për vitet 2014-2020 duket që ka mbetur si draft, ndërsa ai i 2021-2027 ende nuk është hartuar.
Kjo Ministri çdo vit ka hartuar programe të mbështetjes për bujqit me grande dhe subvencione. Deri në vitin 2013 këto plane janë bazuar deri diku në politika të menduara, por nga viti 2014 planifikimi (për shkak të mungesës së Planit) ka qenë kuturu, i pa menduar dhe është varur nga disa zyrtarë të cilët kanë punuar nën trysninë e programeve të partive fituese dhe nga grupe kriminale të cilat aktualisht po përballen me drejtësinë. Për pasojë ka pas vonesa të mëdha në hartimin e programeve vjetore, të cilat kanë shkaktuar probleme të mëdha në zbatim.
Edhe kriteret e aplikuara kanë shkaktuar diskriminimin e fermerëve nga biznese të caktuara, duke e mundësuar riciklimin e tyre si përfitues (klientelen politike). Janë vendosur kushte të rënda për fermerët gjatë implementimit të programeve, madje edhe me kufizime kohore.
Për të bërë diferencimin e fermerëve nga jofermerët nuk është zbatuar kriteri për kushtëzimin e subvencioneve dhe grandeve me rritjen e rendimentit.
Ky sektor edhe pas dy decenieve të punës dhe investimeve, nuk u konsolidua. Numri i masave, skemave të mbështetjes dhe buxheti janë rritur vazhdimisht dhe ka arrit në rreth 50 milionë euro (2020). Edhepse deri tash janë shpenzuar mbi 350 milionë euro, efektet e pritura të investimeve për rritjen e prodhimtarisë dhe ngritjen e cilësisë, janë të vogla. Importet e ushqimit dhe kafshëve të gjalla po rriten dhe kanë arritur në 700 milionë euro (2021).
Ministria e Bujqësisë është në proces të hartimit të Planit të ri (me një vit të humbur), i cili duhet t`i ketë parasysh katër dimensione të problemeve:
1. Problemet që kanë të bëjnë me politikat, programet dhe procedurat
2. Problemet me infrastrukturën institucionale (edhe atë virtuale)
3. Problemet e fermave dhe të tregut
4. Problemet e mbrojtjes së tokës bujqësore dhe të mjedisit.
Prandaj rishikimi i këtij Plani për prodhimin e ushqimit të nevojshëm dhe të shëndetshëm është i domosdoshëm. Së pari duhet të bëhet një analizë e gjendjes në bujqësi, për të parë efektin e investimeve të deritashme, për t`i ndërprerë programet të cilat nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura.
Urgjentisht duhet të hartohet Plani për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028. Për t`i zgjidhur këto probleme, Plani i ri duhet të përfshijë një mori veprimesh në këto drejtime:
– Mbrojtja e tokës bujqësore (nga humbja e rreth 1500 hektarëve në vit) dhe ndotja e ambientit me ligje më të specifikuara
– Rritja e aftësisë konkurruese të fermave, për prodhimin e produkteve në sasi dhe cilësi
– Përcaktimi i zonave, (pas një analize shkencore, bazuar në kushtet klimatike dhe tokësore) për definimin e përparësive investive në akëcilën prodhimtari (zonë e perimeve, pemëve, vreshtave, zonë blegtorale etj.)
– Investime të barabarta në të gjitha regjionet e Kosovës, bazuar në këtë zonim, për shmangien e diskriminimit të fermerëve në treg dhe zhvillim proporcional të regjioneve
– Investime të buxhetit për kultivar të rinj, varietete dhe raca me prodhimtari të lartë
– Investime në sisteme të ujitjes, duke i reduktuar investimet e tilla në nivel ferme (përfshi edhe hulumtimin e ujërave gjeotermale për prodhimtari të hershme në sera)
– Zhvillimi i industrisë ushqimore me standarde të cilësisë dhe për zvogëlimin e eksportit të parasë
– Analizë e gjendjen së Mekanizimit dhe teknologjisë së prodhuesve dhe përpunuesve, për modernizim me mbështetjen nga Qeveria
– Identifikimi dhe mbështetja e zonave me potencial për prodhim dhe përpunim të produkteve me përparësi krahasuese në raport me vendet e tjera (për eksport), ku Qeveria të bëhet partner me fermerët dhe të marrë përsipër koordinimin dhe marketingun e produkteve Made in Kosova
– Fuqizim i shërbimeve këshillimore për trajnim të fermerëve në fermë: për aplikimin e teknologjive të avancuara, për arritjen e standardeve ISSO dhe HACCAP, për mbrojtën e konsumatorëve, për konkurrencë në treg dhe për mbrojte të ambientit si parakusht për thithjen e fondeve të BE; – Zhvillimi i turizmit rural, për shtimin e të ardhurave të fermerëve nga shitja e prodhimeve të tyre, me efekt punësimi, zvogëlim të varfërisë dhe rritje të perspektivës të jetës në fshat
– Përmirësim në politikat për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve, si fushë komplementare me bujqësinë
– Ngritja e niveli të arsimimit (sidomos të rinjve), bazuar në kërkesat e tregut të punës në bujqësi
– Investime në shkencë aplikative, në fuqizimin e instituteve kërkimore, stafit profesional, pajisje dhe objekte të cilat do të mundësojnë regjionalizimin e prodhimtarisë konform kushteve që ofron një zonë, si dhe rritja e bashkëpunimit me institucionet universitare dhe institutet relevante.
Krahas hartimit të Planit të Bujqësisë, duhet të hartohet edhe plani i zbatimit me afate kohore.
Plani i ri i zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural duhet të ruaj dhe fuzionoj edhe kërkesat e PPB të BE. Me këtë plan, Kosova duhet ti ofroi Komisionit Evropian masa dhe aktivitete të qarta për të përmbushur kërkesat e BE në aspektin legjislativ, reformave në bujqësi në përputhje me PPB si dhe ngritjen e kapaciteteve administrative, të teknologjisë informative, rritjes së performancës dhe profesionalizmit të strukturave implementuese, deri në integrim në BE.
Problemet që kanë të bëjnë me infrastrukturën institucionale (edhe atë virtuale)
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), nuk ka arrit ti kompletojë trupat organizative me staf të rregullt dhe me programe digjitale të integruar (IAKS), infrastrukturë kjo e domosdoshme për një menaxhim më të mirë të subvencioneve dhe grandeve. Dobësia më e madhe e saj është mungesa e dijeve (stafit), pastaj ndryshimet e shpeshta të punëtorëve brenda AZHB-së, si pasojë e punësimeve politik.
Ajo nuk mund ta përballoj numrin e madh të aplikacioneve i cili arrin në rreth 32-33 mijë aplikacione në vit për grante dhe subvencione.
Kërkohet edhe shtim i monitorimit të përfituesve të projekteve investive. Prandaj kontrolli i tyre në teren për pengimin e mashtrimit ka kosto të lartë dhe kërkon ngritjen e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit softverik.
Këto dobësi shtrojnë nevojën e ndryshimit rrënjësor të politikave, programeve dhe procedurave për zbatim. Angazhimi serioz i vendimmarrjes politike duhet ta fuqizojë Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Duhet të rekrutohet dhe organizohet staf profesional dhe i trajnuar sipas referencave te IPARD-it, i pajisur me softver dhe TI në harmoni me programet e IPARD-it të cilat duhet të integrohen në programet ekzistuese, për shkëmbim të informatave për minimizim të krimit dhe korrupsionit.
Imazhet satelitore janë zgjidhja e përhershme e evidentimit të parcelave të digjitalizuara me rastin e aplikimit vjetor për subvencione, sepse kjo do të kursente kohë, shpenzime në infrastrukturë, inspektime në teren dhe do t`i zvogëlonte keqpërdorimet nga “fermerët”.
Rezultatet e shpejta do të dëshmojnë se ky investim (dhe ato sipër) janë kursim i miliona eurove nga zvogëlimi i keqpërdorimeve në njërën anë dhe shfrytëzimi i fondeve (pas ndërtimit të sistemi) nga Komisioni Evropian, në anën tjetër.

