Populli ikën, shteti hesht!
Ardian Azemi
Në çdo segment të jetës në Kosovë, është e pamundur të mos shohësh gjurmët e një përpjekjeje të qëllimshme për t’ia shkulur shtetit pjesën më të rëndësishme – popullsinë.
Qeveria Kurti, me një vendosmëri të jashtëzakonshme, po e udhëheq një proces që nuk mund të quhet ndryshe veçse zbrazje.
E kjo nuk është rastësi por duket gjithnjë e më shumë si një qëllim në vete.
Në deklarata që nxisin përçarje, në sjellje që përbuzin dinjitetin qytetar, në vendime që largojnë shpresën, Kurti ka dëshmuar se është më tepër i interesuar ta realizojë projektin serb për Kosovën, sesa ta kundërshtojë atë.
Ai projekt i vjetër sa historia jonë, nuk kërkon më luftë, mjafton që Kosova të mbetet bosh dhe larg vëmendjes së aleatëve.
Kështu siç po veprohet, në rrugë e sipër për Norvegji, Kurti çelsin e Kosovës së zbrazur ka me lën në Beograd.
Asnjë institucion nuk e merr me seriozitet këtë katastrofë. Asnjë alarm nuk bie. Dhe më e rënda: askush nuk përgjigjet. Populli ikën, shteti hesht.
Nëse dikush mendon se e kam gabim, do t’ia kisha ditë për nder të ma argumentonte, sepse unë nuk dua të kem të drejtë në këtë situatë, unë dua të jem gabim, që të besoj se Kosova ende ka kohë, ende ka popull, ende ka shpresë.

