Porositi mjaltë të bardhë, i erdhi mjaltë e zezë – kompania nuk i përgjigjet

Origjina dhe cilësia e mjaltës në Kosovë, janë mjaft të dyshimta. Policia ka njoftuar disa herë për raste të kontrabandës dhe manipulimeve me mjaltë.

Kohëve të fundit bie në sy oferta për mjaltë të bardhë, e cila reklamohet në rrjetet sociale si produkt qind për qind natyral e që shitet me një çmim prej 19 euro kilogrami (kavanozi).

“Mjaltë e Bardhë Kremoze, e pasur me vitamina dhe minerale, forcon imunitetin, përmirëson tretjen dhe jep energji natyrale 100% BIO, efektive dhe cilësore…”

Pastaj numërohen përfitimet nga përdorimi i këtij lloji të mjaltës.

Po ashtu bien në sy komentet pozitive dhe falënderuese nga ‘blerësit’, që me sa duket janë komente të sajuara, sepse asnjë nuk është kritik.

Ne provuam dhe e postuam vetë një vërejtje, por ajo u zhduk menjëherë nga faqja e kompanisë që ofron këtë produkt.

Një qytetare në Gjilan (emri i njohur për redaksinë), duke i lexuar gjithë këto dobi që ofron mjalti i bardhë, sipas reklamës së kompanisë, kishte porositur një kavanoz, për një çmim prej 19 euro.

E kishte për nevoja shëndetësore.

Por, ja çka i ndodhi asaj.

Të nesërmen, posta e shpejtë e solli porosinë në adresën e dhënë përmes komunikimit online.

Ajo sqaron se porosia (kavanozi me mjaltë) ishte e mbështjellë dy-tri herë, madje edhe me ngjitës, që të mos hapej lehtë.

Pa e zgjatur muhabetin me postën e shpejtë, e pagoi porosinë dhe e mori mallin. Kur e hapi kutinë, u befasua. Nuk ishte mjaltë e bardhë, por mjaltë e zeze.

Pagoi për mjaltë të bardhë, kurse i erdhi diçka tjetër, mjaltë e zezë që në treg e gjen me 5 euro.

Provoi t`i shkruaj kompanisë në dritaren ku e kishte bërë porosinë, por ata e bllokuan dhe nuk iu përgjigjen më.

Se kompania, apo qoftë ky vetëm një individ, që ofron dhe shet mjaltë të bardhë, nuk është korrekt, e vërtetuam edhe ne, sepse i shkruam dhe i treguam rastin e qytetares, por nuk na u përgjigjen.

Eshtë e vërtetueshme që pyetjen tonë e panë dhe e lexuan, por nuk u përpoqën ta thonë qoftë edhe një fjalë të vetme.

E, çka mund të thoshin kur u kapën me pelë për dore.

Policia e Kosovës duhet të reagojë dhe t`i ndalojë mashtruesit e tillë.

Fotoja e mallit, është dëshmi se çka porositi qytetarja dhe çka mori ajo.

Kavanozi mban tiketën “mjaltë e bardhë”, ndërsa shihet që është i mbushur me mjaltë të zezë.

Zor të besohet se është tamam edhe mjaltë e zezë.

Ai që mashtron në diçka, është mashtrues edhe në gjërat tjera. /Mediafokus